Në UP themelohen grupet e studentëve nga fusha të ndryshme

27 Tetor 2022
SHARE

Qendra për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës dhe programi “Mentoring Our Future” themeluan pesë grupe të studentëve, që do të funksionojnë në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Qëllimi i grupeve të studentëve është t’u ofrojë atyre mundësi për t'u angazhuar, mësuar dhe zhvilluar tema dhe projekte, për të cilat ndajnë interesa të ngjashme. Pjesëmarrja në grup u lejon studentëve të ndjekin pasionet dhe interesat e tyre me studentët e tjerë, ndërsa zhvillojnë aftësi drejtuese dhe organizative gjatë gjithë përvojës së tyre si studentë universitarë.

Grupet e studentëve do të funksionojnë në lidershipin e mentorëve, përkatësisht profesorëve të Universitetit të Prishtinës.

Grupet e themeluara të studentëve janë:

Grupi i Edukimit, Teknologjisë, Inovacionit dhe Ndërmarrësisë – nën udhëheqjen e prof. Zeqir Veselajt.

Grupi i Ekonomisë, Barazisë Sociale dhe Marrëdhënieve - nën udhëheqjen e prof. Avdullah Hotit.

Grupi i Energjisë, Mjedisit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm - nën udhëheqjen e prof. Vjollca Komonit.

Grupi i Rinisë, Sportit dhe Kulturës - nën udhëheqjen e prof. Musa Selimit.

Grupi i Kërkimeve, Gazetarisë dhe Mediave - nën udhëheqjen e prof. Alban Zenelit.

Gjatë takimit të parë të grupeve të studentëve, profesorëve udhëheqës të studentëve, stafit të KUSA-s dhe Qendrës për Zhvillim të Karrierës, u diskutuan qëllimet e grupit, objektivat, u zgjodhën liderët e grupeve si dhe u shpalosën e shkëmbyen idetë për projektet që do të mbështeten nga UP-ja dhe programi “Mentoring Our Future”.