Sigurimi i Ciësisë

Përgjegjësia e Universitetit të Prishtinës, si universitet publik, për sigurimin dhe kontrollin e brendshëm të cilësisë është e përcaktuar me Ligjin mbi arsimin e lartë në Kosovë, Strategjinë për zhvillimin e arsimit të lartë, si dhe me vet Statutin e Universitetit të Prishtinës. Menaxhimi i cilësisë në nivel qendror është kompetencë e menaxhmentit të Universitetit, ndërsa në nivel të fakulteteve/NjA është kompetencë e dekanit, gjegjësisht prodekanit për mësim.
Duke pasur parasysh nevojat e brendshme të Universitetit për një sistem bashkëkohor për sigurimin dhe promovimin e cilësisë, duke u mbështetur gjithnjë në Procesin e Bolonjës, Senati i UP-së në shkurt 2007 mori vendim për themelimin e Zyres për Zhvillim Akademik, në fillim në kuadër të projektit “Themelimi i Zyrës për Zhvillim Akademik” me asistencë teknike dhe financiare nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Në përputhje me Ligjin për arsimin e lartë dhe me Statutin, me qëllim të arritjeve të standardeve më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka zhvilluar sistemin e tij të brendshëm për sigurimin e cilësisë, ku garanton arritjen e objektivave dhe standardeve ndërkombëtare, standarde të cilat burojnë nga Deklarata e Bolonjës dhe janë të përmbledhura në Udhëzuesin dhe Standardet Evropiane për Sigurimin e Cilësisë.
Sistemi i sigurimit të cilësisë në Universitetin e Prishtinës, përveç, që sigurohet dhe garantohet nga organet Qeverisëse të Universitetit, rregullohet edhe me procese dhe procedura formale të aprovuara nga organi më i lartë akademik i Universitetit, Senati dhe nga Këshilli Drejtues i Universitetit.

  • Mekanizmat dhe instrumentet bazë të sigurimit dhe menaxhimit të cilësisë në nivel institucional janë:
  • Senati i Universitetit,
  • Këshilli Drejtues,
  • Menaxhmenti i Universitetit,
  • Komisionet përkatëse:
    1) Komisioni për Sigurim të Cilësisë,
    2) Komisioni i studimeve,
    3) Komisioni Qendror për Studime të Doktoratës,
    4) Këshilli Botues,
    5) Komisioni i Etikës.

Ndërsa dokumentet bazë që mundësojnë zbatimin e politikave strategjike të menaxhimit dhe sigurimit të cilësisë, janë:

  • Statuti i Universitetit 2012;
  • Rregullorja nr. 4/132, dt. 30.12.2016, për Sigurim të Cilësisë;
  • Rregullorja për vlerësimin dhe shfrytëzimin rezultateve të vlerësimit të personelit akademik;
  • Rregullore nr. 2/111, dt.14.7.2017, për mobilitet akademik dhe të studentëve në UP;
  • Rregullore për procedurat e akreditimit Institucional dhe të programeve studimore; 7.02.2020;
  • Rregullorja nr. 1/775, dt. 9.9. 2014 për studime të doktoratës;
  • Rregullorja nr. 2/283, dt. 3.10.2013, për publikimet e Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina;
  • Rregullore nr. 360,dt.10.02.2020, për procedurat e ri/akreditimit Institucional dhe të programeve studimore,
  • Rregullorja nr. 1/751, datë 19.7.2013 e kodit të etikës.

Universiteti i Prishtinës përmes zyres për Zhvillim Akademik dhe Komisionit të Cilësisë në mënyrë sistematike bënë monitorimin dhe vlerësimin e cilësisë në Institucion, duke grumbulluar dhe analizuar informata relevante nga bashkëpunëtorë dhe palët e interesit.
Informatat e grumbulluara shërbejnë për përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe mësimnxëies në Universitet por edhe përmirësimin e shërbimeve administrative dhe të tjera që ofron Universiteti. Një ndër vlerësimet e rregullta që bënë Unversiteti është edhe ai i vlerësimit të stafit akademik përmes pyetësorëve që ju shpërndahen studentëve që është e përshkruar brenda Udhëzuesit për vlerësimin e lëndëve nga studentët dhe përdorimin e rezultateve të tyre
Mekanizmat e vlerësimit të cilësisë
Me qëllim të kontrollimit të cilësisë së aktiviteteve akademike dhe atyre administrative, Senati i UP-së ka aprovuar tri lloje të instrumenteve të evaluimit të cilësisë: pyetësorët për staf akademik, pyetësorët për staf administrativ dhe pyetësorët për studentë.

Krahas këtyre pyetësorëve për cilësi, në përputhje me Statutin e UP-së, vlerësimi i studentëve për mësimdhënien dhe mësimnxënien për lëndë të veçanta organizohet në baza semestrale nëpërmjet pyetësorëve anonimë për ligjërata dhe kjo koordinohet nga dekanët e fakulteteve (ose prodekanët për mësim) në bashkëpunim me shefat e departamenteve me inicimin e prorektorit për zhvillim të cilësisë.

Mekanizmat përkrahës
Në Universitet ekzistojnë një numër mekanizmash për përmirësimin e cilësisë. Cilësia e aktiviteteve hulumtuese të personeli akademik të UP-së matet nëpërmjet publikimeve në revista shkencore me recension ndërkombëtar dhe pjesëmarrjes në konferenca shkencore në vend dhe ndërkombëtare. Bazuar në numrin e punimeve në revistat me recension ndërkombëtar bëhet edhe avancimi i stafit akademik.

Mblidhen të dhënat nga fakultetet për performancat e studentëve si: përqindja e kalueshmërisë në provime, organizimi i kollokfiumeve, kohëzgjatja e studimeve etj
Mekanizëm tradicional konsiderohet edhe akreditimi i programeve të studimit nga Senati i UP-së, ku secili program i ri i studimit duhet të kalojë në strukturat e fakultetit e pastaj të marrë edhe pëlqimin e Senatit.

Vlerësimi i lëndëve dhe mësimdhënësve
Duke synuar që procesi i mësimdhënies të përmirësohet vazhdimisht, Universiteti i Prishtinës e konsideron të rëndësishme vlerësimin e studentit për lëndën në përgjithësi, si dhe për cilësinë e mësimdhënies dhe të mësimdhënësve në veçanti. Ky proces realizohet përmes pyetësorëve për vlerësim të lëndëve dhe mësimdhënësve.

Linku me vlerësime:
1. Pyetësori për vlerësim të lëndëve

Vlerësimi i cilësisë
Me qëllim të kontrollimit të cilësisë së aktiviteteve akademike dhe atyre administrative, Senati i UP-së ka aprovuar tri lloje të instrumenteve të evaluimit të cilësisë: pyetësorët për staf akademik, pyetësorët për staf administrativ dhe pyetësorët për student.

1. Pyetësori për staf Akademik
2. Pyetësori për staf Administrativ
3. Pyetësori për student
 
Përshkrimi i sistemit për sigurimin e jashtëm të cilësisë
Procesi i vlerësimit të jashtëm, i cili është i rregulluar me Udhëzimin Administrativ (UA) të lëshuar nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe Teknologjisë mbi Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës (UA 15/2018, MASHT), përcakton standardet dhe procedurat e akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe programeve të tyre të studimit. Universiteti deri tani i është nënshtruar (ri)akreditimit institucional në vitin 2009, 2014 dhe në vitin 2020.