Rektori Sahiti i shpreh ngushëllime familjes Spahiu

02 Tetor 2022
SHARE

E nderuara familje Krasniqi,

Me dhimbje e pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të profesoreshës Seniha Spahiu.

E ndjera dha kontribut të madh në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, që nga viti 1987, kur edhe ka nisur punën në këtë fakultet si ligjëruese dhe më pas si profesoreshë. Edhe pas pensionimit, profesoresha Spahiu vazhdoi punën e saj në UP dhe në vitin 2002 u emërua “Profesore Emeritus”

Ajo u shqua për profesionalizëm në mësimdhënie dhe në mentorimin e studentëve. Spahiu ka lënë pas vetës tekste të shumta universitare të cilat do të jenë në shërbim të studentëve, por edhe tekste për nivelin parashkollor, fillor dhe të mesëm, si autore dhe bashkautore. Profesoresha Spahiu, doajene e pedagogjisë muzikore në Kosovë, ka kontribuar edhe në aspektin shkencor me një serë punimesh profesionale të botuara në revista shkencore.

Për humbjen e saj, në cilësinë e rektorit dhe në emër të organeve menaxhuese dhe drejtuese të UP-së, si dhe studentëve tanë, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqve të prof. Seniha Spahiu.

I lehtë i qoftë dheu!

Prof. dr. Naser Sahiti
Rektor