Fjala e rektorit Qerimi në Ditën e Bibliotekës dhe Ditën e Vetëdijesimit për Biblioteka

25 Nëntor 2022
SHARE

I nderuari akademik Bardh Rugova,
I nderuari drejtor, z. Fazli Gajraku,
E nderuara zv. Ministre Osmani,
I nderuari z. Limani,
Të dashur studentë,
Dashamirës të librit,

Ju falënderoj shumë për ftesën dhe praninë tuaj sot. Ndihem i privilegjuar që kam mundësinë t’ju drejtohem në këtë ditë kaq emblematike për dijen dhe librin sa ç‘është Dita e Bibliotekës, njëherësh edhe Dita Kombëtare për Vetëdijesimin për Bibliotekat në Kosovë. Këto dy ngjarje të çmueshme për institucionin e librit na lidhin me kujtesën tonë kolektive sociale. E para, me kujtesën historike e kulturore që e bartë më vete Biblioteka Kombëtare e Kosovës; e dyta, me kujdesin institucional e individual për librin; e treta, me karakterin thellësisht universal të librit dhe aspiratat tona për të qenë pjesë e këtij universi.

Kjo fjalë e imja sot ka edhe një simbolikë të veçantë, e pakta individuale, për atë që paraqet fjalimin tim të parë zyrtar në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Prishtinës; dhe unë s’do të mund të gjeja një moment më të mirë për të bërë këtë fjalë të parë zyrtare sesa në një rast e në një ditë sikur kjo.

Biblioteka është burimi ekzistencial i dijes. Kjo mbetet njëlloj e vlefshme edhe në kohën kur biblioteka po transformohet. Sigurisht, ajo nuk është vetëm një institucion ku takohen kërkuesit e dijes, por është kulturë dhe kujdestare e rëndësishme e trashëgimisë kulturore, kombëtare dhe institucionale.

Kjo ndërtesë ku gjendemi sot, e përfolur shumë herë për pamjen karakteristike, paraqet njërën ndër ndërtesat jo të shumta, ku pamja mbetet nën hijen e vlerës. E themeluar si institucion 78 vjet me parë, kjo bibliotekë, qendrorja në vendin tonë, ka arsimuar qytetarët tanë për afër tetë dekada dhe mbetet burim i pazëvendësueshëm për studentët dhe studiuesit tanë.

Vetëdijesimi për rëndësinë e bibliotekës duhet të vazhdojë të rritet. Si partner i projektit për ngritje të kapaciteteve në arsimin e lartë për mbështetje të rrjetit të shërbimeve për Biblioteka, Universiteti i Prishtinës, për të gjashtin vit me radhë, po proklamon ngritjes e vetëdijes për Bibliotekat në Kosovë. Kjo nismë fillimisht është praktikuar në vitin 2017 dhe ka vazhduar të kërkoj rritjen e vetëdijes edhe në vitet që vijnë. Me partnerët tanë nga vende të ndryshme të botës, si nga Irlanda, Rumania, Gjermania, Greqia, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, në kuadër të këtij projekti, po punojmë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve në bibliotekat universitare, duke synuar modernizimin e tyre përmes zhvillimit të personelit dhe reformimit të shërbimeve që ofrohen. Në kuadër të këtij projekti, janë zhvilluar edhe një numër trajnimesh nga të cilët kanë përfituar edhe punonjësit e bibliotekave në njësitë akademike të UP-së. Sigurisht, ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim; mirëpo, nismat e tilla, me partnerë nga të cilët edhe mund të marrim praktikat më të mira, janë një drejtim i cili duhet ndjekur për të bërë hapat e duhur drejt avansimit të shërbimeve të bibliotekave. Në këtë drejtim, ju ftoj të mbrojmë pronën tonë intelektuale, dokumentet, librat dhe të gjitha koleksionet që kemi trashëguar dhe t’i përdorim ato në mënyra që lartësojnë vlerën e kërkimit dhe cilësinë e mësimit, duke avokuar për vetëdije më të lartë për këtë pasuri.

Pa u zgjatur më tepër, dua t’ju bëjë thirrje për lexim, kujdes dhe kultivim të respektit dhe pasionit për librin si instrument të pazëvendësueshëm dhe themeltar në formimin e një individi dhe modelimin e një shoqërie. Dhe për të gjithë ju, që jeni duke kërkuar veten përmes kopertinave të librit, dua të risjell thënien që “nëse nuk të pëlqen të lexosh, ti nuk e ke gjetur librin e duhur”, andaj, mos ndaloni së kërkuari atë.

 

Të dashur studentë, të nderuar të pranishëm,

Ju dëshiroj suksese të përzemërta në punën tuaj të përditshme dhe në realizimin e aspiratave tuaja. Urime kjo ditë e shënuar!

Ju faleminderit!