Një delegacion nga Universiteti i Poznanit në Poloni e viziton UP-në – diskutohet për thellim të bashkëpunimit

01 Nëntor 2022
SHARE

Në Fakultetin e Ndërtimtarisë së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot është mbajtur takim mikpritës për delegacionin nga Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Fakulteti i Mjedisit dhe Inxhinierisë Mekanike nga Universiteti i Poznanit, Poloni.

Vizita e delegacionit polak synon thellimin e bashkëpunimin ndërmjet UP-së dhe Universitetit të Poznanit në shumë fusha, përfshirë kërkimin shkencor, shkëmbimin e studentëve dhe stafit dhe realizimin e projekteve të ndryshme të përbashkëta.  

Mirëseardhje mysafirëve u uroi u.d. e rektores së UP-së, prof. ass. dr. Luljeta Plakolli-Kasumi, e cila theksoi se bashkëpunimet e tilla po shfaqin cilësinë dhe nivelin e UP-së në tregun ndërkombëtar. “Projektet ndërkombëtare janë një dimension shumë i rëndësishëm që Universiteti i Prishtinës synon ta fuqizojë. Të tillat projekte, që mund të rezultojnë edhe nga ky bashkëpunim, i ndihmojnë UP-së në konkretizimin e të arriturave shkencore, mbi të gjitha sjellin përfitime për studentët dhe cilësinë e institucionit”, tha rektorja Plakolli-Kasumi. Ajo sugjeroi që bashkëpunimi ndërmjet fakulteteve specifike të zgjerohet në bashkëpunim gjithëpërfshirës ndërmjet të dyja universiteteve.

Ndërkaq, nikoqiri i këtij takimi, dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, prof. ass. Florim Grajçevci, theksoi gatishmërinë e tij për të punuar së bashku me fakultetet gjegjëse nga universiteti polak, në projekte të përbashkëta. Ai shtoi se falë bashkëpunimit të gjertanishëm, dy studentë të FN-së janë duke vijuar studimet e doktoratës në Universitetin e Mjedisit dhe Inxhinierisë Mekanike në Poznan.

Në anën tjetër, e befasuar me mikpritjen që i është bërë u shpreh dekanja e Fakultetit të Mjedisit dhe Inxhinierisë Mekanike, prof. Klaudia Borowiak. “Kjo është vizita ime e tretë në Kosovë dhe rikthimi im vetëm e dëshmon përvojën time të mirë në këtë vend. Jam e hapur për idenë që ky bashkëpunim të shpërndahet në të gjithë universitetin dhe jo vetëm në fakultetet e përfshira deri më tani,” tha prof. Borowiak.

Për progresin e UP-së dhe gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit foli edhe prof. dr. Naser Kabashi, anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së dhe njëherësh profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë.

Vizita disaditore e delegacionit nga Polonia do të vijojë me takime me përfaqësues të tjerë të universitetit, me studentë dhe partnerë.