UP-ja e shpall Doctor Honoris Causa trajnerin Driton Kuka

22 Shtator 2022
SHARE

Me një ceremoni solemne, të organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, i është dhënë titulli Doktor Nderi trajnerit dhe selektorit të përfaqësueses së Kosovës në xhudo, z. Driton Kuka.

Në ceremoninë, e cila filloi me intonimin e himnit shtetëror dhe atij akademik, pjesëmarrës ishin menaxhmenti dhe organet e tjera drejtuese të UP-se, përfaqësues të institucioneve, kampionët olimpikë dhe personalitete të rëndësishme nga fusha e sportit, studentë dhe mysafirë të tjerë.

Rektori Sahiti, i cili edhe e dhuroi këtë diplomë, theksoi që Kuka, me punën e tij, ka lartësuar Kosovën kudo në botë.
“Figura e trajnerit Kuka është pikë referimi dhe shembull për shumë të rinj, të cilët kanë pasion sportin dhe të cilët mund të kenë mëdyshje për atë që mund të mbërrijë përmes sportit një i ri i vendit më të ri në Evropë. Kuka, së bashku me medalistët që i ka përgatitur, ka thyer shumë barriera dhe i ka treguar botës që në vendin e vogël të Kosovës fshihet pasuria më e madhe – rinia e vyeshme, intelektuale dhe e talentuar”, theksoi Sahiti.

Ai e falënderoi trajnerin Kuka për kontributin e dhënë që Kosova të konsiderohet si një vend i mundësive dhe për forcën transformuese që e ka bartur te kampionet dhe te të rinjtë.

E shpërblimin me titullin e nderit të Universitetit të Prishtinës, laureati Kuka e konsideroi si nder të veçantë. Ai me të pranishmit ndau sfidat e ngritjes së tij dhe të kampioneve kosovare të xhudos.
“Në punën time kam pasur shumë pengesa dhe dilema, por e gjitha është kurorëzuar me atë që e kam pasur qëllim jetësor. Nuk ka metodologji të punës nga vendet e zhvilluara që nuk e kam hulumtuar dhe mësuar gjatë punës sime. Kam bërë shumë eksperimente, derisa e kam gjetur rrugën drejt medaljeve elitare dhe kthesa kryesore ka filluar në momentin që Majlinda i ka besuar punës sime,” tha Kuka.

Ai falënderoi Senatin e UP-së për vlerësimin që i ka bërë punës së tij. “Jam mirënjohës dhe falënderues që sot nga tempulli i dijes, Universiteti i Prishtinës, po marr titullin e nderit Doctor Honoris Causa”, u shpreh ai.

Në cilësinë e laudatorit, të pranishmëve iu drejtua prof. dr. Hasim Rushiti, prodekan në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit. Ai tha që trajneri Kuka, me sukseset dhe arritjet me sportistët e tij, ka kaluar të gjitha limitet dhe pritshmëritë, jo vetëm brenda vendit por edhe ndërkombëtarisht. Driton Kuka, me punën dhe ekspertizën profesionale dhe shkencore, iu dha shembull dhe model për suksese edhe kombeve me traditë  shumë më të madhe në sportin e xhudos”, tha Rushiti.

Trajnerit dhe selektorit të përfaqësueses së xhudos, z. Driton Kuka, Senati i UP-se ia dha titullin Doctor Honoris Causa për arritjet historike në fushën e sportit të xhudos, si trajner i medalistëve olimpikë dhe i studentëve, si dhe për kontributin e jashtëzakonshëm në afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.