Mësim më atraktiv falë teknologjisë virtuale (AR/VR)

29 Qershor 2022
SHARE

Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka filluar tashmë përdorimi i teknologjive virtuale (AR/VR). Kjo u mundësua falë projektit VTECH, në kuadër të programit Erasmus+.

Studenti i nivelit master në FIEK, Faton Mehmeti, nëpërmjet një mobiliteti studentor që ka pasur në Gjermani përmes programit Erasmus+, pati mundësinë që të familjarizohet me këto pajisje dhe të japë kontributin e tij tani në përfshirjen e këtyre teknologjive në UP. Ai thotë se përmes kësaj teknologjie, tashmë studimet do të jenë më cilësore dhe më atraktive për studentët. Përdorimi i kësaj teknologjie do të ndikojë në rritjen e mbamendjes te studentët, sepse ndryshe nga përvoja fizike në klasë, ku ligjëruesit japin mësim për një temë në mënyrë abstrakte, inkuadrimi i  realitetit virtual në arsim i lejon studentët të mësojnë rreth një teme duke e jetuar atë”, është shprehur Mehmeti.

Edhe studentët e tjerë të UP-së janë shprehur tejet të lumtur që tashmë një teknologji e tillë po gjen zbatim në Universitetin e Prishtinës.

Nga aspekti menaxherial dhe akademik, përfshirjen e teknologjisë virtuale (AR/VR) e ka vlerësuar lartë edhe prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr Mimoza Ibrani. Prorektorja Ibrani theksoi se nismat e tilla avancojnë metodologjitë e mësimdhënies dhe mësimnxënies në dobi të studentëve, duke zhvilluar kompetencat praktike të studentëve dhe inkurajuar mësimin inovativ dhe aktiv.

Qëllimi kryesor i projektit VTECH është njoftimi me konceptin e teknologjisë virtuale në universitetet e Ballkanit Perëndimor, si një mundësi për të ngritur dhe shpejtuar modernizimin e universiteteve, duke kontribuar njëherësh në zhvillimin e shoqërisë së orientuar drejt dijes.