Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitete çmon rritjen e integritetit dhe transparencës në UP

14 Qershor 2022
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, i shoqëruar nga prorektorët e UP-së, sot, ka pritur në takim drejtorët ekzekutivë të organizatave të KITU - Koalicionit për Integritet dhe Transparencë në Universitete.

Në këtë takim u diskutuan zhvillimet në Universitetin e Prishtinës, me ç’rast përfaqësuesit e KITU-së çmuan ngritjen e integritetit dhe transparencës në UP. Gjatë takimit, këta të fundit i dorëzuan menaxhmentit të UP-së raportin “Universiteti i Prishtinës nën llupë”.

Rektori, prof. dr. Naser Sahiti, theksoi që menaxhmenti i UP-së i mirëpret rekomandimet, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e punës dhe cilësisë në UP. “Ne jemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha palët, të cilat propozojnë nisma që synim kanë avancimin e interesit publik. Aktualisht në UP janë duke vijuar shumë procese të rëndësishme, përfshirë këtu konkurse, të cilat do të afektojnë mirëfunksionimin e përgjithshëm institucional”, theksoi rektori.  

Në anën tjetër, Lura Limani, nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, theksoi rëndësinë e zhvillimeve pozitive në UP, përmirësimet e shënuara dhe stabilitetin e deritashëm. Ndërkaq, Shkëlzen Gashi, autor i raportit “Universiteti i Prishtinës nën llupë” foli më tepër për sfidat e UP-së që nga nisja e punës së këtij koalicioni, duke theksuar edhe nevojën e madhe për digjitalizim dhe avancim të shërbimeve në bibliotekat e UP-së.

Palët u dakorduan për bashkëpunim të ngushtë në avancimin e nismave, të cilat do të krijojnë një ambient më të mirë akademik për studentët dhe stafin e UP-së.