Diskutohen mundësi të bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike

07 Mars 2022
SHARE

Prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr. Mimoza Ibrani, dhe Fitim Seferi nga Zyra për Kërkim dhe Projekte të Sponsorizuara në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, pritën në takim përfaqësues të Ambasadës Franceze në Prishtinë dhe ekspertin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të shtetit francez, z. Cédric GROUSSET, ekspert i DCSD (Drejtoria Qendrore e Sigurisë dhe e Mbrojtjes).

Arsye e takimit ishte identifikimi i mundësive të bashkëpunimit në projektin Cyber Balkans, që si qëllim ka ndërtimin e kapaciteteve në parandalimin e krimit kibernetik dhe ngritjen e sigurisë kibernetike. Ky projekt mbështetet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Francës.

Universiteti i Prishtinës shihet si institucion lider i arsimit të lartë në Republikën e Kosovës dhe si i tillë edhe partner kredibil në projekt.

Prorektorja Ibrani, duke i njoftuar ata me kapacitetet aktuale, kurrikulat të cilat trajtojnë temat e sigurisë kibernetike dhe potencialin e Universitetit të Prishtinës, ua shfaqi gatishmërinë për të bashkëpunuar në këtë projekt.