UP-ja pranon nga ORCA raportin e vlerësimit të konkursit për staf akademik

01 Mars 2022
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim - ORCA, z. Dibran Hoxha dhe znj. Adea Kondirolli, të cilët i kanë dorëzuar menaxhmentit të UP-së raportin përmbledhës të avancimeve nga konkursi i fundit për staf akademik. 

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr. Mimoza Ibrani dhe prorektori për kërkim shkencor, prof. dr. Kurtesh Sherifi.

Në fjalën e tij, rektori Sahiti ka vlerësuar lartë funksionin e organizatave të shoqërisë civile, duke i konsideruar si një komponentë shumë i rëndësishëm që ndihmon në evaluimin, transformimin dhe përmirësimin e cilësisë në UP. Ai ka falënderuar ORCA-n për gatishmërinë që ta përcjellë nga afër të gjithë procesin e konkursit për staf akademik.
 
Në anën tjetër, përfaqësuesit e ORCA-s potencuan se konkursi në fjalë është një nga proceset më transparente që kjo organizatë ka pasur rastin të monitorojë në kuadër të UP-së.

Rektori Sahiti, mes tjerash, ka ofruar gatishmërinë e menaxhmentit të UP-së për të punuar së bashku me ORCA-n dhe shoqërinë civile, për të avancuar nisma të rëndësishme për arsimin e lartë.