Rektori Hajrullahu: Dera e Rektoratit është e hapur për studentët

08 Nëntor 2024
SHARE

Në një konferencë për gazetarë të zhvilluar në Sallën e Senatit të Universitetit të Prishtinës, sot më 8 nëntor 2024, ora 15:30, rektori Arben Hajrullahu tha se pa studentë nuk ka universitet. 

Konferencën për gazetarë rektori Hajrullahu e ftoi pas paralajmërimeve të Parlamentit Studentor për protesta në ditën e martë, në lidhje me kërkesat për afate shtesë të provimeve. 

„Dyert e Rektoratit janë të hapura. Menaxhmenti  dhe Rektorati është këtu me studentë e për studentë”, tha rektori Hajrullahu. 

Ai deklaroi më tutje se zgjidhja afatgjte për afatet e provimeve është te vlerësimi i vazhdueshëm i studentëve, të cilin disa profesorë dembelë nuk e kanë bërë deri më tani, ngase u del më shumë punë. Për më shumë rektori Hajrullahu ju premtoi studentëve publikisht që bashkarisht do të gjejmë një zgjidhje për rastet nga lëndët e viteve paraprake, në të cilat studentët më parë në kundërshtim me normat në fuqi nuk janë vlerësuar në mënyrë të vazhdueshme.

Rektori Hajrullahu paralajmëroi edhe dialog shterues për të gjitha çështjet, nëse është nevoja edhe në ditët e vikendit. 

Pavarësisht lajmeve të rreme që mund të nxisin studentët për bojkot dhe protesta, rektori Hajrullahu siguroi të gjithë se menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës në asnjë mënyrë nuk është kundër studentëve. 

Rektori Arben Hajrullahu dhe menaxhmenti i ri i Universitetit të Prishtinës mori detyrën më 1 tetor 2024, me premtimin për transparencë, llogaridhënie dhe zbatim të akteve ligjore me të cilat rregullohet jeta dhe puna në universitet.