Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot është nënshkruar marrëveshje për dhënien e shërbimeve nga ana e UP-së në zhvillimin e materialeve mësimore dhe trajnimin e mësimdhënësve rreth ndryshimeve klimatike.
Përfitues të këtij projekti do të jenë nxënësit e shkollave të mesme të nivelit vendor, përmes trajnimit të mësimdhënësve të tyre dhe ofrimit të materialeve mësimore ilustrative dhe të përshtatshme në aspektin pedagogjik.
I lumtur për arritjen e këtij bashkëpunimi është shprehur rektori, prof. dr. Naser Sahiti. Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ai ka theksuar se një nismë e tillë përforcon edhe më tepër misionin e UP-së për shërbim për komunitetin.
Këtë bashkëpunim e përshëndeti edhe z. Krenar Basha, menaxher i programit të Caritasit zviceran. Ai e falënderoi UP-në dhe u shpreh i bindur se bashkëpunimi do të jetë shumë frytdhënës.
Të dyja palët theksuan se një marrëveshje e tillë është shumë e nevojshme, sidomos në këtë periudhë kur problemet me ngrohjen globale janë duke ndikuar dukshëm në vendin tonë dhe kudo në botë.
Shërbimet sipas kësaj marrëveshjeje do të ofrohen nga ana e Departamentit të Biologjisë në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore të UP-së.
