Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, sot ka pritur në takim një delegacion nga Ministria e Teknologjisë dhe Industrisë e Turqisë dhe nga Ministria e Zhvillimit Rajonal e Republikës së Kosovës.
Në këtë takim, palët diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe institucioneve turke të arsimit të lartë, në veçanti në krijimin e parkut teknologjik dhe të inovacionit.
Rektori Sahiti, i shoqëruar nga prorektorët, bëri një prezantim të punës dhe të strukturës së UP-së, ndërkaq shprehu gatishmërinë e menaxhmentit për të iniciuar projekte të përbashkëta nga fusha e teknologjisë dhe inovacionit.
“Çdo zhvillim në lidhje me krijimin e këtij parku inovativ është shumë i mirëpritur dhe UP-ja është e hapur dhe ka kapacitetet e duhura që të fillojë punën në këtë drejtim”, theksoi rektori Sahiti.
Në anën tjetër, zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, z. Agon Dobruna, u shpreh i lumtur për mbajtjen e këtij takimi, nga i cili ka pritshmëri të mëdha. Ai theksoi se qëllimi i MZHR-së është ndërlidhja mes Universitetit të Prishtinës dhe institucioneve përkatëse në Turqi drejt një bashkëpunimi relevant për UP-në.
Nga delegacioni turk theksuan që krijimi i parkut të teknologjisë në kuadër të UP-së do të sjellë dobi të mëdha për studentët dhe studiuesit e universitetit. Ata theksuan që secili park i tillë ka nevojë për përkrahje dhe bashkëpunim të ngushtë me ekspertët, në mënyrë që të funksionojë sipas pritshmërive.
Palët u akorduan që të vijojnë komunikimet në mënyrë që ta rrisin bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe kompanive që i përfaqësojnë.

