Universiteti i Prishtinës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Mjekësisë, Tiranë
Në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë të Tiranës, u bë nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes këtij institucioni dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në këtë takim të pranishëm ishin rektorët e të dyja universiteteve, prorektorët e këtyre të fundit, si dhe përfaqësues të stafit akademik dhe autoritete drejtuese të fakulteteve të Universitetit të Mjekësisë.

Kryefjala e këtij takimi ishte marrëveshja midis dy universiteteve dhe dobia e nënshkrimit të saj. Të dy rektorët shprehen vullnetin e tyre për jetësimin e kësaj marrëveshje sa më parë, në mënyrë që studentët e tyre të përfitojnë sa më shumë nga ky bashkëpunim.


Përfaqësuesit e universiteteve diskutuan po ashtu lidhur me shkëmbimin e përvojave në programe të ndryshme studimore si edhe në projekte të ndryshme të kërkimit shkencor. Shkëmbimi sistematik i stafit akademik dhe i studentëve u nënvizua si faktori thelbësor në zhvillimin e ndërsjellë institucional.

Në fund të takimit Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Marjan Dema dhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Arben Gjata nënshkruan marrëveshjen e përbashkët.