CEREMONIA E HAPJES INAUGURUESE TË PROGRAMIT CERTIFIKUES "ENERGJIA E RIPËTËRITSHME DHE QËNDRUESHMËRIA"
Më 4 Qershor u organizua ceremonia e hapjes inauguruese të Programit Certifikues "Energjia e ripërtëritshme dhe Qëndrueshmëria" në kuadër të Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ) të Universitetit të Prishtinës.

Pjesëmarrës të kësaj ngjarje të rëndësishme në rrugën e reformave të UP-së, ishin Rektori i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" z.Marjan Demaj, përfaqësuesit nga USAID, World Learning, profesorët nga Arizona State University, profesorët e UP (QEQ), profesorëve tjerë si dhe studentët nga kohorta e parë.

Në kuadër të kësaj ceremonie studentët u njoftuan me specifikat e programit certifikues “Energjia e ripërtëritshme dhe Qëndrueshmëria”, natyrën interdisiplinore të programit, kurset të cilat mund ti ndjekin, format e avancuara të organizimit të procesit mësimor (vlerësimin e vazhdueshëm, bashkëpunimin me mësimdhënësin nëpërmjet platformës online për menagjimin e kurseve, fleksibilitetin lidhur me kohën e ndjekjes së kursit etj.). Në kuadër të kësaj ceremonie studentët u njoftua edhe me mësimdhënësit e trajnuar për ofrimin e kurseve në kuadër të programit aktual certifikues si dhe patën mundësi të ndjekin seminarin inaugurues 2-ditor nga Prof. Dr. Shahin Berisha (profesor në Universitetin Shtetëror të Arizonës) me titull: "Matja e gjurmëve të karbonit dhe lumturia njerëzore".  

Programi certifikues “Energjia e ripërtëritshme dhe Qëndrueshmëria” paraqet programin e parë certifikues të zhvilluar në kuadër të QEQ-it si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit Shtetëror të Arizonës në kuadër të Programit të Lidershipit Transformues (të financuar nga USAID - Kosovë dhe të implementuar nga World Learning. Programe tjera certifikuese në fushën e Energjisë dhe Qëndrueshmërisë do të zhvillohen në të ardhmen.