Ministri i Drejtësisë i Hungarisë mbajti një ligjeratë në Fakultetin Juridik
Ministri i Drejtësisë i Hungarisë z. Laszslo Trucsanyi mbajti ligjeratën në Fakultetin Juridik me temën “Kushtetuta e Hungarisë dhe Roli i Hungarisë në BE”. Kjo ligjeratë zgjoi interesimin e madh të studentëve, stafit akademik dhe personaliteteve tjera nga institucionet qeveritare, ambasadat dhe përfaqësitë e huaja në Kosovë.

Në ligjeratë mori pjesë edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Prof. Dr. Marjan Dema. Ngjarja u hap nga Prof. Dr. Asoc. Haxhi Gashi i cili duke falënderuar Ministrin që ka zgjedhur Fakultetin Juridik për të mbajtur këtë ligjeratë i shprehu mirëseardhje atij në emër të fakultetit.

Gjatë ligjeratës Ministri potencoi rolin e kushtetutës në zhvilimin e kohezionit të shoqërisë duke potencuar faktin që Hungaria përmes kushtetutës së saj prezenton të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e zhvillimit të popullit Hungarez. Sa i përket rolit të Hungarisë në BE, z. Trucsanyi shtoi se BE duhet të ketë parasysh diversitetin e shoqërive në Evropë dhe të respektojë vlerat e ndryshme të popujve të ndryshëm dhe të evoluojë përkrah tyre.

Në një takim me menaxhmentin e fakultetit dhe Rektorin z. Dema Ministri premtoi se do te ndihmojë në krijimin e kontakteve me universitetet e njohura hungareze me qëllim të hapjes së bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit të përvojave, stafit akademik si dhe të studentëve.

Ngjarja u përmbyll me disa informata të rëndësishme për studentët e fakultetit në lidhje me mundësinë e përfitimit të bursave për nivele të ndryshme të studimeve në universitetet e njohura hungareze.