NË UP, MBAHËT KONFERENCA E 7-TË NDËRKOMBËTARE VJETORE E BALLKANIT (IBAC)
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, këtë vit ishte nikoqir i Konferencës së 7-të Ndërkombëtare Vjetore të Ballkanit (IBAC). Konferenca me temën “Roli i diplomacisë në Historinë e Ballkanit” u organizua falë bashkëpunimit të ngushtë në mes të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universitetit të Stambollit.

Punimet e kësaj konference dyditore (9-10 nëntor 2017), e cila u zhvillua në ambientet e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore Universitare, i përshëndeti Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” prof. dr. Marjan Dema, i cili u shpreh shumë i lumtur me këtë organizim.

Të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtuan edhe rektori i Universitetit të Stambollit, Mahmut AK, ministri i Administratës Publike i Republikës së Kosovës, z. Mahir Yağcilar, Shkëlqesia e saj, ambasadorja turke në Kosovë, znj. Kıvılcım Kiliç, z. Ahmet Yeşil, organizator kryesor i IBAC-ut, si dhe bashkëpunëtorët e tjerë në organizmin e kësaj konference nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim si dhe Instituti Yunus Emre.

Pas fjalëve përshëndetëse, rektorët e të dyja universiteteve nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi, i cili synon të zgjerojnë edhe më tepër bashkëpunimin në mes këtyre dy institucioneve akademike.

Kjo ceremoni u përcjell edhe me inaugurimin e ekspozitës “Dokumentet Osmane në Kosovë”, e organizuar nga Arkivat Osmane të Kryeministrit në Stamboll dhe Universiteti i Stambollit.

Sesionet akademike të IBAC-ut në vijim, u zhvilluan në Fakultetin Filozofik për dy ditë rresht. Në këto sesione morën pjese 40 pjesëmarrës nga Kosova, Turqia, Polonia, Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Rusia, të cilët i kontribuuan konferencës me pjesëmarrjen dhe prezantimet e tyre.

Diskutimet në IBAC vunë në pah nevojën që akademikët dhe hulumtuesit e vendeve ballkanike kanë për të zhvilluar një hulumtim historik të bazuar në burimet lokale të analizuara nga vetë institucionet shtatorë të këtij rajoni. Për më tepër, pjesëmarrësit në IBAC kuptuan se në vazhdimësi studimet akademike në Ballkan priten të ngritën në një nivel edhe më të lartë dhe t’i shërbejnë mirëqenies së rajonit në të ardhmen.

Edicioni i 9-të i IBAC-ut planifikohet të mbahet vitin e ardhshëm në Zagreb.