Dema flet për mësimdhënien në konferencën mbajtur në shenimin e Ditës Botërore të Mësuesit
Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Mësuesit, 5 tetorit, njëherësh 20 vjetorit të miratimit të rekomandimit të UNESCO-s në lidhje me Statusin e Personelit të Arsimit të Lartë, në Hotel Grand në Prishtinë u mbajt konferenca me titull “Liria e mësimdhënies i fuqizon mësimdhënësit”.

Punimet e konferencës i përshëndeti edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema. Ai falënderoi këshillin organizativ të kësaj konference për ftesën dhe njëherësh për idenë e organizimit të një aktiviteti të tillë, duke uruar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet që nga konferenca të dalin me rezultatet më të mira.

“Të qenit mësues për mua ishte ëndërr që mu ngjit në personalitetin tim, ashtu si vetë emri im. Por përveç që ishte ëndërr, ishte edhe një plan i qartë për të cilin nuk rreshta së punuari asnjëherë”  tha Dema para të pranishmëve, duke shtuar që mësimdhënia është profesioni më sublim dhe shtylla bazë për zhvillimin e shoqërisë.

“Ne kemi në duart tona fuqinë për ta ndryshuar të ardhmen, pasi që ne jemi ata që së bashku me prindërit, shërbejmë si udhërrëfyes të liderëve të ardhshëm” tha ndër të tjerash Rektori i UP-së.

Në konferencën “Liria e mësimdhënies i fuqizon mësimdhënësit” fjalë rasti para të pranishmëve mbajti edhe zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, z. Enver Hoxhaj, i cili tha që para të gjithëve, mësuesve iu ka lindur së pari ideja dhe dëshira për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në anën tjetër, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës, z. Rrahman Jashari, tha se janë falënderues dhe i kujtojnë me respekt të madh të gjithë mësimdhënësit.  

Me fjalë rasti, të pranishmeve iu drejtuan edhe personalitete të tjera të rëndësishme të institucioneve qeveritare të Kosovës dhe jashtë saj.