Profesori i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP,  Bajram Berisha shpallet laureat i çmimit “Zietzschmann-Preuss Award” 
Këshilli drejtues i fondacionit shkencor ndërkombëtar “Zietzschmann-Preuss Award“, me seli në Gent të Belgjikës, ka përzgjedhur Prof. Bajram Berishën, ligjërues në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP, si laureat të çmimit “Zietzschmann-Preuss“ për vitin 2017.

Ky çmimi prestigjioz Berishës i është ndarë për të arriturat shkencore në publikimin me titull "Angiogenesis in the Ovary - The Most Important Regulatory Event for Follicle and Corpus Luteum Development and Function in Cow - An Overview" (autorët Berisha B, Schams D, Rodler D, Pfaffl M), i publikuar në revistën “Anatomia, Histologia & Embryologia, 2016.
Ky çmim i ndahet vetëm një autori gjatë një viti dhe menaxhohet nga Asociacioni Botëror i Anatomëve të Veterinarisë. Që nga themelimi i këtij fondacionit, Asociacioni Botëror ka përzgjedhur çdo vit nga një laureat për të arriturat e tyre kulmore shkencore.     
Këshilli drejtues i fondacionit, ka vlerësuar lartë të arriturat shkencore të Prof. Berishës dhe grupit të tij shkencor, ndërkaq publikimin lidhur me procesin e angiogjenezës në ovare (vezore), e ka përzgjedhur fitues unanim të votimit për vitin 2017.
Natyrisht një vlerësim i tillë për punën kërkimore-shkencore të Prof. Berishës ka qenë i pritur, pasi ai në karrierën e tij shkencore deri tani ka publikuar qindra punime të ndryshme (65 publikime në revista me “impact factor”) lidhur me procesin e Angiogjenezës në qelizat, indet dhe organet e riprodhimit te shtazët e ndryshme. 
Një vlerësim të tillë prof. Berisha e ka pritur më kënaqësinë më të madhe pasi është i vetmi në regjion që shpallet laureat për këtë lëmi të shkencës.
 “Punimi në fjalë ka filluar njëzetepesë vite më parë kur në atë kohë ende nuk kishte hulumtime shkencore në këtë fushë. Ndihem jashtëzakonisht mirë që pas një punë kaq të gjatë, në fund po vjen një vlerësim i tillë dhe mbi të gjitha që një pjesë të suksesit e ka edhe UP-ja dhe Universiteti i Munihut ku jam edhe profesor vizitor.”
Hulumtimet e Prof. Berishës shpjegojnë mekanizmat lokal që ndikojnë në angiogjenezën fiziologjike. Në fakt, shfrytëzimi i njohurive të fituara nga modeli i angiogjenezës fiziologjike të vezores, ka qenë dhe mbetet shumë i rëndësishëm, në krijimin e strategjive të reja që do të kontribonin në luftën kundër kancerit të vezores (si problem i madh në mjekësinë humane), por edhe kundër llojeve të tjera të tumoreve.
Gjithashtu, hulumtimet e Prof. Berishës kanë edhe karakter shumë të rëndësishëm praktik-aplikativ. Ato ndihmojnë në sqarimin e fiziologjisë së vezores duke i kontribuar kështu rritjes së shkallës së riprodhimit dhe zgjidhjes së problemeve të shterpërisë fiziologjike dhe patologjike, probleme këto në rritje gjatë dekadave të fundit.
Dorëzimi i çmimit për Prof. Berishën, siç është praktikë për të gjithë Laureatët nga Evropa, do të bëhet në një ceremoni të veçantë gjatë darkës përmbyllëse të kongresit të ardhshëm të Asociacionit Evropian të Anatomisë Veterinare, i cili do të mbahet në korrik të vitit 2018 në Hannover të Gjermanisë.
Suksesin e Prof. Berishës mund ta kenë edhe studentët e tij të cilët sipas profesorit janë në të njëjtin nivel më studentët e huaj, të cilët ndjekin studimet në universitetet më me renome në botë.
“Studentët e UP-së, të nivelit themelor në fakultetin tonë janë shumë të mirë dhe kanë njohuri të jashtëzakonshme rreth fushës që kanë zgjedhur të studiojnë. Kjo më bën shumë të lumtur që studentët tanë mund të krahasohen lirshëm me çdo student të vendeve tjera për nga cilësia.” 
Universiteti i Prishtinës pritet që shumë shpejt të ketë edhe gjeneratën e parë të doktorantëve për shkencë të Ushqimit dhe Teknologjisë së Ushqimit, degë kjo e krijuar në kuadër të projektit nga Tempus. 

Instagram
Kontakti