Publikohet numri i dytë i revistës “Karriera”

28 Dhjetor 2021
SHARE

Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka publikuar sot numrin e dytë të revistës “Karriera”, e cila synon informimin, orientimin dhe edukimin në karrierë të studentëve dhe të diplomuarve tanë.

Revista “Karriera” ka për qëllim t’u ndihmojë të rinjve në udhëtimin profesional të tyre, duke u ofruar informacionet e nevojshme rreth punësimit, trendet në zhvillimin e profesioneve të caktuara dhe kriteret e tregut të punës.

Në fjalën përshëndetëse për revistën “Karriera”, rektori i UP-së, prof. Naser Sahiti, shprehet se puna dhe aktivitetet e përditshme të Universitetit të Prishtinës kanë ndikim të madh në të gjitha segmentet e organizimit në vendin tonë.
Orientimi i revistës është informimi juaj, të dashur studentë dhe të diplomuar, me mundësitë për punësim, trendet në zhvillimin e profesioneve të punës sot dhe çështje të tjera me rëndësi për të ardhmen tuaj. Karriera juaj nuk është një hap, por është një rrugëtim, andaj uroj që përmbajtja që do t’ju servohet me anë të kësaj reviste, të shënojë një hap tutje në orientimin tuaj drejt suksesit”, ka thënë rektori.

Në anën tjetër, prorektori për zhvillim dhe cilësi, prof. Elton Bahtiri, në fjalën e tij, motivon studentët që të angazhohen për të kuptuar se çfarë përvoje u nevojitet për të arritur karrierën që dëshirojnë, duke i ftuar të insistojnë që të përmirësojnë aftësitë dhe shkathtësitë e tyre në mënyrë të vazhdueshme.
Nuk ka dyshim se në kohën në të cilën jetojmë dija dhe zbatimi i saj janë të vetmet gjëra që mund të sjellin përparim në shoqërinë tonë”, shtoi ai.

Revista “Karriera” përfshin artikuj nga punëdhënësit rreth përgatitjes së studentëve për tregun e punës, artikuj me këshilla konkrete për zhvillim në karrierë, trendet e punësimit në fusha të ndryshme, intervista me punëdhënësit, artikuj nga bashkëpunëtorë vendor e të huaj, statistika të hulumtimeve të QZhK-së, shërbimet e mundësitë në UP, etj.

Për më shumë, ju ftojmë të lexoni revistën duke klikuar KËTU ose në platformën Issuu: https://issuu.com/qzhk/docs/revista_karriera_nr.2_2021.

Karriera_2