Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” është bërë hapja solemne e punimeve të Seminarit XXXIX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Në këtë solemnitet ishin të pranishëm: z. Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, prof. dr. Naser Sahiti, rektor i Universitetit të Prishtinës, z. Hajrullah Çeku, ministër i Kulturës, znj. Edona Maloku, zëvendësministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, prof. Sabri Laçi, dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, prof. dr. Lindita Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë, prof. Shkumbin Munishi, drejtor i Seminarit, prof. Dhurata Shehri, bashkëdrejtore e Seminarit, akademikë, profesorë dhe seminaristë.
Ceremonia nisi me fjalimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili e theksoi rëndësinë që ka albanologjia në kulturën e vendit tonë. Ai shtoi se mësimi i shqipes duhet të shtrihet në tërë vendet ku ka shqiptarë.
“Shkenca nuk është procedurë njohjeje por transformator i madh dhe ajo është prodhues kulture. Sa më specifike është një shkencë, aq më shumë përfshin në vete dijen dhe në këtë pikë kam kuptuar se albanologjia është hulumtim i formave të të thënave. Ne duhet të synojmë shkencën më të lartë të shqipes dhe këtu mendohet mësimi i shqipes nga mësuesit tanë në mërgatë. Ne zotohemi për përpjekje maksimale dhe sukseset nuk do të na mungojnë,” theksoi kryeministri Kurti.
Në anën tjetër, rektori, prof. dr. Naser Sahiti, përgëzoi organizatorët dhe bashkëpunëtorët për qëndrueshmërinë e treguar dhe për vazhdueshmërinë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kombëtare.
“Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare paraqet padyshim njërën ndër forumet më të rëndësishme, i cili organizohet për të diskutuar dhe promovuar aspekte të veçanta që e karakterizojnë gjuhën, letërsinë, kulturë tonë dhe albanologjinë në përgjithësi”, ka thënë ai.
Punën e seminarit e përshëndeti edhe zëvendësministrja në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, znj. Edona Maloku, e cila i përgëzoi organizatorët për temat e zgjedhura ndër vite.
Kurse, dekanja e Fakultetit të Filologjisë, prof. dr. Lindita Rugova, i falënderoi pjesëmarrësit dhe seminaristët që kanë marrë rrugën për Prishtinë në këtë periudhë të paqëndrueshme për shëndetin publik dhe e theksoi rëndësinë e Seminarit për albanologjinë. Ajo nuk la pa i përmendur miqësitë mes studiuesish, shkëmbimet e studentëve dhe bashkëpunimin mes Tiranës dhe Prishtinës. Rugova i përgëzoi gjeneratat e reja, duke mos harruar kontributin e albanologëve të tjerë.
Drejtori i sivjetmë i Seminarit, profesor Shkumbin Munishi, e theksoi organizimin e këtij Seminari në një kohë të jashtëzakonshme, i organizuar në kohë rekorde, që do të duhej të mbahej në tetor të 2020-ës, por shkaku i situatës me pandemi ishte anuluar. Tutje ai e falënderoi rektoratin e Universitetit të Prishtinës që e ka mbështetur Seminarin në këto rrethana. Dhe në fund e shpalli të hapur zyrtarisht edicionin e 39-të të Seminarit XXXIX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 në kuadër të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. Këtë vit punimet e këtij Seminari kanë nisur më 23 gusht dhe do të zgjasin deri më 3 shtator 2011.