Rektori Sahiti merr pjesë në Konferencën e Gjashtë Shkencore të Procesit të Ballkanit Perëndimor

03 Korrik 2021
SHARE

Më 1 dhe 2 korrik 2021 u zhvillua virualisht Konferenca e gjashtë e përbashkët shkencore lidhur me Procesin e Berlinit. Temat boshte të diskutuara në këtë konferencë ishin lidhur me leksionet e nxjerra nga menaxhimi i pandemisë Covid-19, gatishmëria dhe qëndrueshmëria për tu përballur me pandeminë, prioritet e rikuperimit post-pandemik, digjitalizimi i arkivave të  vendeve të dala nga ish Jugosllavia, si dhe perspektiva e bashkëpunimit në të ardhmen.

Pjesëmarrës të konferencës ishin personalitete të rëndësishme nga vendet e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, rektorë të universiteteve dhe përfaqësues të akademive përkatëse të këtyre vendeve, ndërkaq organizator dhe udhëheqës të konferencës ishin Akademia e Shkencave e Gjermanisë dhe Akademia e Shkencave të Polonisë. Pjesëmarrës në këtë konferencë, si përfaqësues i Universitetit të Prishtinës ishte rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti.

Në kuadër të diskutimit të tij, rektori Sahiti nënvizoj vështirësitë nëpër të cilat është duke kaluar Universiteti i Prishtinës si pasojë e pandemisë Covid-19 e të cilat, nga folësit e tjerë, e konfirmuan si të ngjashme dhe për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Më tutje rektori Sahiti vlerësoi si të rëndësishme informatat e dhëna nga ana përfaqësuesve të Komisionit Evropian në lidhje me publikimin e thirrjeve të reja për të aplikuar në fondet e Komisionit, të dedikuara ekskluzivisht për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe ka theksuar shpresën për vazhdimin e Konferencës Shkencore lidhur me Procesin e Berlinit në të ardhmen.

Në anën tjetër, me qëllim të zvogëlimit të dukurisë shumë shqetësuese për të gjitha vendet e rajonit, në këtë kontekst edhe për Kosovën, e cila ka të bëjë me “rrjedhjen e trurit”, rektori Sahiti propozoj që projektet e financuara nga ana e Komisionit Evropian në të ardhmen të modifikohen në mënyrë që të shërbejnë për ngritjen e kapacitete për hulumtime shkencore në vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që më vonë, institucionet shkencore të Bashkimit Evropian të mund t’i shfrytëzojnë kapacitetet e tilla për “delegimin” e një pjese të shërbimeve shkencore në ato vende. Në këtë mënyrë, shumë shkencëtarëve të vendeve të rajonit do të ju ofrohej mundësia e zhvillimit të veprimtarisë hulumtuese, në vendet përkatëse pa pasur nevojë të migrojnë jashtë vendit.

Brenda dy ditëve të kohëzgjatjes së konferencës, në diskutim u përfshinë pjesëmarrës të ndryshëm të vendeve të përfaqësuara dhe u zhvilluan panele të shumta diskutimi. Nga kjo konferencë doli një plan dhjetë pikësh për kontrollimin e Covid-19 në vendet e Ballkanit Perëndimor, të ndara plan afat shkurtër të veprimit, afatmesëm dhe afatgjatë. Ato përfshijnë: kontrollimin e virusit duke menduar globalisht, por duke vepruar lokalisht; ndihmesa në krijimin e qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe sigurimi i gatishmërisë pandemike në këtë rajon.