Mësimdhënësja e UP-së, Vjosa Osmani zgjidhet Presidente e Kosovës – urimi nga rektori Sahiti

08 Prill 2021
SHARE

Vjosa Osmani, mësimdhënëse në Katedrën Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, është zgjedhur Presidente e Republikës së Kosovës.

Karrierën e saj akademike Osmani e ka nisur në Universitetin e Prishtinës, ku kreu studimet themelore në fushën e drejtësisë. Presidentja Osmani, pas vijimit të studimeve master dhe të doktoratës jashtë vendit, është rikthyer sërish në UP, ku për vite me radhë ka shërbyer si pjesë e stafit akademik të universitetit tonë.

Me rastin e pranimit të detyrës së saj në krye të vendit tonë, atë e uroi rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti.

Në një letër urimi, Sahiti shprehët i lumtur që një mësimdhënëse e UP-së ka pranuar këtë detyrë, sa të rëndësishme po aq fisnike, siç është detyra e Presidentes së Kosovës.
Universiteti i Prishtinës, tradicionalisht, ka përgatitur profesionalisht liderët e vendit tonë. Në mesin e liderëve më të rëndësishëm, sigurisht jeni ju, që fillimisht rrugëtimin akademik e keni nisur në tempullin tonë, përkatësisht në Fakultetin Juridik. Përkushtimi juaj ka bërë që ju edhe sot të jeni anëtare e këtij fakulteti të rëndësishëm të UP-së, si pjesë e stafit akademik në Katedrën Ndërkombëtare, duke shërbyer me vullnet dhe profesionalizëm për përgatitjen e gjeneratave të reja”¸ ka thënë rektori Sahiti.

Teksa thekson vullnetin e drejtuesve të UP-së për bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore, rektori shton që “Jemi të lumtur që studentët tanë, në veçanti vajzat dhe gratë, do të kenë edhe një shembull frymëzues si ju për ta ndjekur për të ardhmen e tyre”.

Letra e urimit përfundon me fjalët së menaxhmenti i UP-së është i bindur që Presidentja Osmani do të shërbejë me përgjegjësi për të gjithë qytetarët e vendit tonë, duke kultivuar frymë të dialogut dhe të bashkëpunimit ndërmjet të gjitha instancave shtetërore.