KOMUNIKATË

30 Qershor 2022
SHARE

Pas shqetësimit të madh në opinion dhe interesimit të vazhdueshëm nga ana e medieve lidhur me procesin e zgjedhjes së pesë anëtarëve të Këshillit Drejtues nga ana e Senatit, menaxhmenti i Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” njofton opinionin si vijon:

Procesi zgjedhor, në aspektin teknik, është zhvilluar sipas procedurave. Kontestimet fillestare janë ngritur në aspektin e të drejtës së senatorëve studentë, të cilët duhet të jenë pjesë e këtij votimi, përkatësisht nëse pjesë e këtij procesi duhet të jenë senatorët studentë të cilët kanë mandat deri më 30 shtator, apo senatorët studentë të cilët e kanë shumicën në Parlamentin e ri të dalë nga zgjedhjet studentore të organizuara këtë muaj. Bazuar në interpretimin e U.D. Sekretarit, person përgjegjës për interpretimin e rregullores së Këshillit Drejtues për zgjedhjet studentore, në proces të votimit duhet të marrin pjesë studentët e deleguar nga Parlamenti i ri Studentor.

Ekziston bindje e thellë në opinion dhe në mesin e njohësve të proceseve të tilla, që legaliteti i senatorëve studentë pjesëmarrës në votim është i kontestueshëm. Menaxhmenti i UP-së, ka kërkuar para mbajtjes së zgjedhjeve, një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit Drejtues për funksionalizimin e komisionit statutar me qëllim të interpretimit meritor të situatës së krijuar. Menaxhmenti i UP-së po ashtu, një ditë para organizimit të zgjedhjeve, ka ftuar një takim të jashtëzakonshëm të Senatit për ta diskutuar këtë çështje, edhe pse Senati nuk është instancë kompetente për dhënien e një interpretimi përkatës. Në pamundësi të takimit të Këshillit Drejtues, rrjedhimisht në mungesë të interpretimit nga ana e komisionit statutar, zgjedhjet për anëtar të rinj të Këshillit Drejtues janë organizuar bazuar në interpretimin e U.D. Sekretarit.

Nga procesi zgjedhor ka rezultuar një përbërje e KD-së e cila ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik lidhur me integritetin dhe kredencialet akademike të një pjesë të kandidatëve të zgjedhur, por po ashtu edhe për faktin e një përfaqësim jo adekuat gjinor. Menaxhmenti i UP-së siguron opinionin publik se në raport me të drejtën e votimit të senatorëve studentë është tërësisht neutral dhe do të bashkëpunoj me të gjitha palët dhe autoritetet kompetente për adresimin e kësaj situate.