UP-ja shënon progres në rangimin e vitit 2022 në platformën SCImago

14 Prill 2022
SHARE

Në platformën SCImago, e cila e vlerëson performancën shkencore të institucioneve të arsimit të lartë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shënuar avancim në vitin 2022, si në rangimin e përgjithshëm, ashtu edhe në rangimin sipas metrikave të bazuara në kërkimin shkencor, inovacionin dhe ndikimin në shoqëri.

Në vitin 2021, Universiteti i Prishtinës është ranguar në pozitën 775, ndërsa në vitin 2022 renditët në pozitën 707.

Për këtë rangim të UP-së, i lumtur shprehet rektori, prof. dr. Naser Sahiti. Me këtë rast, Rektori e përgëzon stafin akademik të UP-së, puna e të cilit është vlerësuar për ngritjen e institucionit në këtë ranglistë, si dhe uron studentët dhe pjesëtarët e tjerë të UP-së për këtë të arritur. 

Databaza Scimago metodën e renditjes e ka kryesisht të bazuar në punimet e publikuara dhe të indeksuara në databazën e njohur Scopus. Detajet lidhur me metodologjinë dhe metrikat e rangimit gjenden në: https://www.scimagoir.com/institution.php?idp=70739