Shkalla e vaksinimit kundër COVID-19 e stafit akademik dhe administrativ të Universitetit të Prishtinës

15 Shtator 2021
SHARE

Për të pasur një pasqyrë të qartë për shkallën e vaksinimit kundër COVID-19 të stafit akademik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe për të planifikuar skenarët e mundshëm të organizimit të procesit mësimor dhe shërbimeve administrative me studentë gjatë semestrit vjeshtor të vitit akademik 2021/2022, nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) u dizajnua hulumtimi me titull “Shkalla e vaksinimit kundër COVID-19 e stafit akademik dhe administrativ të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.  Hulumtimi është kryer në periudhën nga 3.9.2021 deri më 10.9.2021. 

Pyetësori i dizajnuar për këtë hulumtim është përgatitur në formatin elektronik (doc.google.com/forms), është shpërndarë përmes email adresës, dhe si të plotësuar në mënyrë korrekte janë vlerësuar 541 pyetësorë nga stafi akademik dhe 101 pyetësorë nga stafi administrativ i UP-së. 

Ky hulumtim ka gjetur shkallë të lartë vaksinimi të stafit akademik, nga të cilët madje 82.6 % e stafit akademik kanë rezultuar plotësisht të vaksinuar, 12.9% e tyre pjesërisht të vaksinuar por që deri më 1 tetor planifikohet të jenë plotësisht të vaksinuar, ndërsa vetëm 4.4 % janë deklaruar si të pa vaksinuar. Ngjashëm, edhe në mesin e stafit administrativ të anketuar, shumica dërmuese e tyre janë deklaruar si plotësisht të vaksinuar (50.5%) apo pjesërisht të vaksinuar (35.6%), ndërsa të pa vaksinuar janë deklaruar 13.9% nga ta. 

Gjetje tjetër me rëndësi e këtij hulumtimi është dhe gatishmëria e lartë e stafit akademik dhe administrativ për të filluar procesin mësimor dhe shërbimet administrative me prani fizike nga 1 Tetori 2021, nëse shkalla e vaksinimit e këtyre grupeve të përfshirë në anketë dhe e studentëve rezulton e kënaqshme dhe numri i infeksioneve me SARS COV2 (COVID-19) bjen ndjeshëm.   

Për hulumtimin e plotë klikoni KËTU.