UP-JA DHE KOMUNA E SHTIMES NISIN BASHKËPUNIMIN NDËRINSTITUCIONAL

07 Shtator 2022
SHARE

Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u nënshkrua sot marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe Komunës së Shtimes.

Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti dhe kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu.

Në fjalën e tij, rektori Sahiti foli për rëndësinë që kjo marrëveshje ka në avancimin tutje të misionit të UP-së, për të i shërbyer komunitetit. “Kjo marrëveshje është akt simbolik, por i hap dyert e bashkëpunimit në fusha të ndryshme ndërmjet institucioneve tona. UP-ja është qendra kryesore e ekspertizës në vend, andaj jemi të lumtur që njohuritë dhe praktikat më të mira të i përcjellim edhe tek pushteti lokal,” tha rektori, i cili u shpreh i lumtur për nisjen e këtij bashkëpunimi.

I nderuar për zyrtarizimin e partneritetit me UP-në u shpreh edhe kryetari Aliu. Ai theksoi që është kënaqësi e veçantë që, në cilësinë e të parit të Komunës së Shtimes, të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me institucionin më të rëndësishëm të arsimit të lartë në vend.

Marrëveshja e nënshkruar ka për synim përcaktimin e kornizës së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, përfshirë këtu: bashkëpunimin në hartimin dhe zbatimin e projekteve; organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale në fushat relevante; realizimin e këshillimeve profesionale reciproke; ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët; harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojat e tregut të punës; si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore.