Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina" dhe Ambasada e Malit të Zi në Kosovë diskutojnë për mundësi të reja bashkëpunimi

26 Korrik 2022
SHARE

Mundësi të reja bashkëpunimi janë diskutuar sot në takimin e mbajtur mes rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, dhe ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë, z. Mirsad Biboviq.

Gjate takimit, përveç tjerash, është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit me Universitetin e Podgoricës. Me këtë rast, rektori Sahiti tha se UP-ja është e interesuar ta zgjerojë edhe më tutje bashkëpunimin konkret me universitetet e tjera, posaçërisht me ato të rajonit. Ambasadori Biboviq tha se Universiteti i Prishtinës ka qenë gjithmonë mikpritës i studentëve nga Mali i Zi dhe tani është koha të krijohen edhe mundësi të reja bashkëpunimi. Ai u shpreh i gatshëm të ndihmojë në thellimin e bashkëpunimit mes dy universiteteve.

Pjesë e takimit, në të cilin u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen ishin edhe prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, dhe prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr. Mimoza Ibrani.

UP-ja ka mbajtur edhe më herët takime me përfaqësues të ndryshëm nga Mali i Zi dhe bashkëpunimi rajonal mbetet një ndër prioritetet e tij.