UP organizon Konferencën Ndërkombëtare të Kosovës për Hulumtime Arsimore – KICER 2022

10 Qershor 2022
SHARE

Në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare është mbajtur sot Konferenca Ndërkombëtare e Kosovës për Hulumtime Arsimore – KICER 2022, e organizuar nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Tema e edicionit të sivjetmë të KICER ishte “Zhvillimi i një qasjeje të bazuar në të dhëna në edukim, për një shoqëri në ndryshim”.

Nisma e kësaj konference u cilësua si e rëndësisë së lartë nga rektori Sahiti, për faktin se, sipas tij, zhvillimi në arsim paraqet zhvillimin e thuajse të gjitha fushave të një vendi.

Sektori i arsimit padyshim se është sektori më i rëndësishëm i çdo shoqërie, pavarësisht se çdonjëra prej tyre ka peshën e vet. Por Fakulteti i Edukimit, për shkak të natyrës së vet, ka një peshë më të madhe, duke pasur parasysh se nga kuadrot e dala nga ky sektor, varen gjenerata të tëra, që nga edukimi i hershëm, deri në maturi. Andaj, unë shpresoj që nga kjo konferencë do të përfitojë Fakulteti i Edukimit dhe UP-ja në përgjithësi dhe të shërbejë si reflektim për punë të mëtutjeshme”, ka thënë rektori Sahiti.

Punimet e konferencës i përshëndeti edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila u shpreh se roli i UP-së në zhvillimin e kuadrove të arsimit është tejet i rëndësishëm.

Arsimin e lartë e shohim si promotor të zhvillimeve sociale dhe ekonomike, duke e ditur rolin krucial që ka luajtur universiteti në dekadat e fundit, sidomos Universiteti i Prishtinës, i cili vazhdon të mbetet si një ndër institucionet me përgjegjësi të lartë. Prandaj, UP-në e shoh si pikë referuese për të gjitha institucionet e tjera qeveritare dhe zhvillimin e shoqërisë dhe të ardhmes së vendit”, ka thënë ministrja Nagavci.

Organizimi i kësaj konference është vlerësuar me domethënie të madhe edhe nga dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. asoc. dr. Blerim Saqipi.

Esenca e kësaj konference është avancimi i praktikave tona drejt përgatitjes së mësimdhënësve me cilësi të lartë. Kjo është edhe një nismë që ne si fakultet duam të marrim hapat e parë drejt anëtarësimit në Asociacionin Evropian të Hulumtimeve në fushën e edukimit”, theksoi dekani Saqipi.

Konferenca e mbajtur sot është aktivitet vjetor i Fakultetit të Edukimit dhe po mbahet për të tretin vit radhazi. Gjatë konferencës janë prezantuar tema të ndryshme të fushës së edukimit, nga profesorë vendorë dhe ndërkombëtarë. Konferenca do të vazhdojë punimet edhe nesër, në ambientet e Fakultetit të Edukimit.