Studentët e artit dhurojnë pikturat e tyre për popullin ukrainas

07 Prill 2022
SHARE

Studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” organizuan një aktivitet, ku paraqitën punimet e tyre, të realizuara me tematikë luftën në Ukrainë.

Në këtë ngjarje, të kuruar nga profesori Xhevdet Pantina, ishin të pranishëm edhe ushtarët e Ukrainës në KFOR, të cilët shërbejnë si trupa paqeruajtëse në Kosovë.Sipas profesorit Pantina, ky aktivitet po shënohet me qëllim të solidiarizimit me popullin ukrainas.

Mbi 50 piktura të ndryshme iu dhuruan ushtarëve të Ukrainës. Përfaqësuesi i tyre, Ivan Nastenko, e vlerësoi lart këtë veprim të studentëve. “Është shumë e rëndësishme që të mos ndihesh i vetëm në këtë luftë kundër armikut. Mendoj që artdashësit e Kosovës e dinë më së miri rëndësinë e lirisë. Vetëm në liri mund të bëhet art. Ju premtoj që të gjitha punimet do të jenë frymëzim për ushtarët ukrainas që të arrijnë paqen në Ukrainë”, është shprehur Nastenko.

E lumtur që dha kontribut në këtë ngjarje u shpreh edhe njëra prej studenteve të këtij fakulteti, Ulpiana Kurtaj. Ajo tha se përmes këtyre veprave, kanë tentuar që të reflektojnë gjendjen e rëndë në të cilën është duke kaluar populli ukrainas.

Me këtë rast, ushtarët falënderuan studentët dhe popullin e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që, sipas tyre, ua kanë ofruar gjatë këtyre ditëve.