Mbahet takimi i parë i bordit drejtues të projektit për ndërtimin e Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore

06 Prill 2022
SHARE

Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës është mbajtur takimi i parë i bordit drejtues të projektit për ndërtimin e Fakultetit të Shkencave Matematike - Natyrore.

Takimin e hapi rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, i cili tha që ky bord është shumë i rëndësishëm për faktin që vendime të mëdha do të merren nga ana e tij. “Ky është takim i rëndësishëm për një projekt shumë të rëndësishëm, i cili është në kuadër të prioriteteve të UP-së për krijimin e kushteve edhe më të mira për studentët tanë,” tha rektori.

Pjesë e bordit drejtues janë edhe përfaqësuesit nga Bashkimi Evropian dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS).Znj. Merita Govori, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, theksoi që BE-ja është e lumtur që ka mundësinë të ndihmojë në këtë projekt të rëndësishëm, jo vetëm për UP-në, por edhe për vendin, ndërkaq z. Brendan Keirnan, shef i Zyrës së UNOPS-it, tha që është kënaqësi të mund të jenë pjesë e ideimit dhe implementimit të këtij projekti.

Më tutje, menaxherja e projektit për ndërtimin e objektit të FSHMN-së, znj. Verona Ymeri-Hoxha, prezantoi para të pranishmëve termat e referencës së grupit teknik punues të projektit dhe hapat e tjerë që duhet të ndërmerren.

Bordi drejtues i projektit për ndërtimin e FSHMN-së do të drejtojë implementimin e projektit, do të jetë përgjegjës për monitorimin e progresit dhe performancës së projektit, do të ofrojë një forum për diskutim të çështjeve të rëndësishme dhe përgjegjës i specifikave dhe detajeve të tjera për realizimin e projektit në tërësi.