Rektori Sahiti viziton objektin e ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë – kërkon finalizimin e punimeve

31 Mars 2022
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka vazhduar vizitat e tij në objektin në ndërtim të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Në vizitën e realizuar, rektori Sahiti ishte i shoqëruar nga anëtari i Këshillit Drejtues, prof. dr. Naser Kabashi dhe u.d. sekretari i përgjithshëm i UP-së, z. Besfort Krasniqi. Pjesëmarrës në këtë vizitë ishin edhe dekani i FBV-së, prof. dr. Bedri Dragusha, kryetarja e Këshillit të Studentëve, znj. Blenda Fazliu, dhe përfaqësues të tjerë të studentëve dhe personelit të UP-së.

Në vendin e punimeve, rektori Sahiti, me bashkëpunëtorë, u takua me përfaqësuesit e kompanive punëkryerëse të objektit të FBV-së, të cilët e informuan Rektorin me progresin e punimeve dhe sfidat që kanë pasur në realizimin e tyre.

Rektori Sahiti kërkoi nga kompania që punimet të finalizohen sa më parë, në mënyrë që viti i ardhshëm akademik të nisë për studentët e këtij fakulteti në objekt të ri. Rektori theksoi edhe një herë gatishmërinë e menaxhmentit për të punuar ngushtë me ekipin përgjegjës, në mënyrë që projekti të finalizohet sa më parë dhe në standardet e përcaktuara.

Në anën tjetër, studentët falënderuan Rektorin për seriozitetin e shfaqur në trajtimin e kësaj çështjeje. Ata theksuan edhe një herë kërkesat e studentëve, të cilët presin që sa më parë të fillojnë mbajtjen e ligjëratave dhe ushtrimeve, në këtë ndërtesë.