Qendra e Gjuhëve e UP-së njofton studentët mbi rëndësinë e gjuhëve të huaja për fuqizim në karrierë

16 Mars 2022
SHARE

Qendra e Gjuhëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka mbajtur sot webinarin “Njohja e gjuhëve të huaja, si mundësi fuqizimi në karrierë”, të organizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës.

Në këtë takim virtual me studentë, folëse ishte znj. Jehona Xhaferi, koordinatore e Qendrës së Gjuhëve në UP, e cila njoftoi studentët se kjo qendër do të ofrojë në vazhdimësi kurse të ndryshme të gjuhëve të huaja. Ajo bëri të ditur se dy prej tyre, kursi i gjuhës italiane dhe asaj kroate, do të startojnë gjatë ditëve në vijim.

Tutje, Xhaferi tha se pas përfundimit të kursit, studentët dhe kushdo tjetër që është i interesuar për të marrë pjesë në këto kurse do të pajisen me certifikata, të cilat do të vlejnë në rrafshin ndërkombëtar.

Rëndësinë e njohjes së gjuhëve të huaja e theksoi edhe dekanja e Fakultetit të Filologjisë, prof. dr. Lindita Sejdiu-Rugova, e cila ishte e pranishme në këtë takim. Në fjalën e saj, Sejdiu-Rugova inkurajoi studentët që të mësojnë sa më shumë gjuhë, që të mund të depërtojnë në nivelin ndërkombëtar.

Pas diskutimit, takimi vijoi me pyetje nga ana e studentëve, ku u vërejt një interesim mjaft i madh nga ana e tyre për të pranuar sa më shumë informacione rreth mundësive që kjo qendër tashmë po i ofron.