UP-ja dhe Qendra e Studentëve nënshkruajnë marrëveshje të bashkëpunimit

11 Mars 2022
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me Qendrën e Studentëve të UP-së. Ujdia e arritur ka për qëllim ofrimin e shërbimeve të akomodimit dhe ushqimit nga QS-ja për profesorët dhe studentët pjesëmarrës në realizimin e programeve në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë që ka UP-ja.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga rektori, prof. dr. Naser Sahiti, dhe drejtori i përgjithshëm i QS-së, z. Fatmir Sfishta. E pranishme në këtë takim ishte edhe prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj.

Rektori Sahiti, në fjalën e tij, falënderoi drejtorin Sfishta për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e deritanishëm në implementimin e projekteve të UP-së.

Në bazë të këtij memorandumi, palët u dakorduan, ndër të tjerash, edhe për akomodimin e profesorëve dhe studentëve përgjatë programit të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës dhe Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, në periudhën kur QS-ja është në pushim vjetor.