Historiku

Universiteti i Prishtinës është themeluar me Ligjin mbi Themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës, më 18 nëntor 1969. Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte ngjarje historike për popullin e Kosovës, si edhe për mbarë kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970, u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe pikërisht kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës. Në përbërje të Universitetit të Prishtinës të posathemeluar ishin këto fakultete me seli në Prishtinë: Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridiko-Ekonomik, Fakulteti Teknik dhe Fakulteti i Mjekësisë. Tani Universiteti i Prishtinës i ka 14 njesi akademike, të listuara më poshtë:

1.     Fakultetin Filozofik
2.     Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore
3.     Fakultetin e Filologjisë
4.     Fakultetin Juridik
5.     Fakultetin Ekonomik
6.     Fakultetin e Ndërtimtarisë
7.     Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike
8.     Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike
9.     Fakultetin e Mjekësisë
10.  Fakultetin e Arteve
11.  Fakultetin e Bujqësisë
12.  Fakultetin e Shkencave Sportive
13.  Fakultetin e Edukimit
14.  Fakultetin e Arkitekturës