Diskutohen rregullativat e autonomisë universitare në kuadër të punëtorisë hibride të projektit STAND

10 Qershor 2022
SHARE

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” është mbajtur sot punëtoria e radhës në kuadër të projektit Fuqizimi i autonomisë së universiteteve dhe ngritja e llogaridhënies dhe transparencës në universitetet e Ballkanit Perëndimor – STAND, gjatë së cilës u diskutuan rregullativat e autonomisë universitare.

I pranishëm në hapjen e punëtorisë ishte rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti. Në fjalën e tij, rektori Sahiti tha se kjo ngjarje, ashtu si edhe tematika e këtij projekti, janë shumë të rëndësishme, pasi që pavarësia dhe autonomia institucionale janë ndër objektivat dhe sfidat kryesore të Universitetit të Prishtinës dhe të gjitha universiteteve tjera publike në Kosovë.

Ndërkaq, prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar e UP-së, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, njëherësh koordinatore e projektit STAND për UP-në, në fjalën hapëse të saj, theksoi që është bërë punë shumë e madhe në kuadër të projektit, në nxjerrjen e të dhënave për autonominë universitare në Kosovë dhe rajon. Sipas prorektores Blakaj, këto të dhëna kanë krijuar bazën për përmirësimin dhe harmonizimin e ligjeve dhe rregullativave në arsimin e lartë.

STAND është projekt në kuadër të programit ERASMUS+, i cili koordinohet nga Kolegji IBCM. Drejtoresha e këtij kolegji, prof. dr. Mihone Kerolli, foli për implementimin e deritanishëm të projektit dhe hapat e mëtutjeshëm të tij. Ndërkaq, për përmirësimin e rregullativave të autonomisë universitare dhe aktivitetet e tjera të parapara në kuadër të projektit, foli edhe prof. Agron Hajdari nga kolegji IBC-M.

Gjatë punëtorisë, profesori i UP-së, prof. dr. Avdulla Alija, prezantoi rezultatet nga analiza mbi rregullimin e autonomisë së universitetit, sfidat dhe mundësitë. Ai paraqiti gjetjet nga kartela matëse e autonomisë universitare dhe theksoi nevojën e harmonizimit të Ligjit të Arsimit të Lartë me ligjet e tjera, në veçanti me Ligjin për Financa.

Punëtoria ka vazhduar me prezantime të tjera nga përfaqësues të universiteteve partnere dhe u përcoll me diskutim nga të pranishmit në sallë dhe virtualisht. STAND është projekt, i cili bashkëfinancohet nga programi Erasmus+ dhe Bashkimi Evropian. Qëllimi i projektit STAND është përmirësimi i proceseve dhe mekanizmave të autonomisë në universitete, duke rritur kapacitetet menaxhuese, llogaridhënëse dhe transparente në universitetet e Ballkanit Perëndimor (Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri).