Nisin provimet pranuese për kandidatët për studentë të rinj në UP

31 Gusht 2021
SHARE

Sot në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” nisi mbajtja e provimeve pranuese për studentë të rinj në studimet themelore – baçelor për vitin akademik 2021/22. Kandidatët për studentë të Fakultetit të Ndërtimtarisë, Fakultetit të Arkitekturës dhe të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit mbajtën sot provimet pranuese në kuadër të njësive akademike përkatëse.

Gjatë ditës, ata u vizituan nga rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, i cili në këto vizita ishte i shoqëruar nga prorektorët dhe sekretari i përgjithshëm i UP-së.

Suksese në këtë sfidë të rëndësishme për karrierën e tyre iu dëshiroi rektori Sahiti kandidatëve për studentë, duke theksuar që pjesë e UP-së gjithherë janë studentët më meritorë.
“Ju uroj shumë suksese në këtë rrugëtim tuajin drejt nisjes së një kapitulli shumë të rëndësishëm në jetën dhe karrierën tuaj. Ne ju sigurojmë që më të mirët dhe më meritorët do të bëhen pjesë e Universitetit të Prishtinës – universitetit lider në vend”, tha rektori.



Rektori Sahiti, në njësitë akademike që i vizitoi, u prit nga dekanët dhe ekipet përgjegjëse për organizimin dhe sigurimin e mbarëvajtjes së provimeve pranuese.

Provimet pranuese do të vazhdojnë deri më 4 shtator 2021. Nesër, duke filluar nga ora 08:00, Fakulteti i Shkencave Matematike – Natyrore, Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit, Fakulteti Ekonomik dhe ai i Bujqësisë dhe Veterinës do të organizojnë provimet pranuese për kandidatët për studentë të rinj në vitin e parë të studimeve baçelor për vitin akademik 2020/21.