Përfundon edicioni i 20-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës

16 Korrik 2021
SHARE

Edicioni i 20-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, pas rreth dy javë kohëzgjatje, u mbyll sot me një ceremoni virtuale.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, i falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë për organizimin e këtij edicioni të UVP-së, duke uruar që takimi i radhës me pjesëmarrësit në UVP të jetë në kampusin e universitetit. Sahiti tha se shpreson që pritjet e tij për një eksperiencë unike në këtë edicion të UVP-së të jenë realizuar.
“14 kurse të ndryshme, vizitat virtuale në Kosovë dhe aktivitetet e tjera online u servuan te ju gjatë këtij programi të UVP-së me shpresën që të njëjtat do të lënë shenja pozitive në kujtesën dhe në karrierën tuaj akademike,” theksoi Sahiti.

Në emër të ligjëruesve ndërkombëtarë, në këtë ceremoni, të pranishmëve iu drejtua profesori Alexander Hristov, i cili tha që është shumë i lumtur që ishte pjesë e profesorëve ligjërues të UVP-së.
“Ndonëse do të preferoja të eksploroja rrugët e Prishtinës dhe jo ekranin tim të kompjuterit, ky universitet veror ishte shumë i suksesshëm. Edhe pse nuk i kam takuar personalisht, studentët pjesëmarrës në këtë program më kanë impresionuar. Ata kanë shfaqur njohuri të thella rreth temave të diskutimit, mendim kritik dhe shumë pasion për të mësuar,” theksoi profesori bullgar.

Në anën tjetër, profesoresha Arta Jakupi, ligjëruese në edicionin e 20-të të UVP-së, u shpreh e nderuar që në emër të profesorëve vendorë do të ndajë përvojën e saj nga ky universitet veror. Jakupi theksoi që janë pikërisht këto ngjarje ndërkombëtare të organizuara nga UP-ja ato që e bëjnë të reflektojë më tepër rreth pozicionit të UP-së në vend dhe ndërkombëtarisht.
“Limitet që politika na i ka vënë, regjimin e vizave dhe kufizimet e tjera, po i largon pikërisht arsimi. Nuk po e them këtë vetëm në aspektin figurativ, por literalisht ajo që ka ndodhur në këtë edicion të UVP-së gjatë këtyre dy javëve është pikërisht liria, për të cilën ne kemi shumë nevojë,” theksoi profesoresha Jakupi.

Ndërsa studentët, edhe pse u shprehën të lumtur me pjesëmarrjen e tyre, nuk e mohuan faktin  që janë të dëshpëruar që këtij edicioni i erdhi fundi.
“Me bindje të plotë them që pjesëmarrja në UVP ishte një përvojë shumë e vlefshme, përmes së cilës kam njohur shumë njerëz dhe, më e rëndësishmja, jam larguar nga zona ime e komfortit, duke dhënë edhe kontributin tim në diskutime si dhe duke absorbuar njohuri të reja,” theksoi Donika Breznica, studente në RIT Kosova.

Ndryshe nga 19 edicionet paraprake, këtë vit universiteti veror është mbajtur në formë virtuale, por, ashtu si në vitet e kaluara, ky program ka bashkuar studentë vendorë dhe ndërkombëtarë nga vendet si: Franca, Gjermania, Suedia, Turqia, Shqipëria, Egjipti, Serbia dhe Mali i Zi.

Gjatë këtij edicioni të UVP-së, përveç në 14 kurset, të cilat mbulojnë fusha të ndryshme studimi, studentët ishin pjesëmarrës edhe në punëtoritë dhe aktivitetet e ndryshme kulturore, të cilat janë përgatitur në kuadër të këtij programi.