UP-ja nënshkruan memorandume të bashkëpunimit me MKRS-në

29 Qershor 2021
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë nënshkruar dy marrëveshje të bashkëpunimit, me anë të të cilave synohet promovimi i trashëgimisë kulturore, zhvillimi i infrastrukturës sportive, kulturore, rinore si dhe realizimi i përbashkët i projekteve dhe programeve hulumtuese.

Memorandumet u nënshkruan nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrullah Çeku, rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, prof. ass. dr. Florim Grajçevci.

Rektori Sahiti tha që Universiteti i Prishtinës është i hapur për bashkëpunim me institucione dhe organizata, me të cilat do të mund të realizonte projekte konkrete që do t’iu shërbenin studentëve dhe komunitetit.

Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet UP-së dhe MKRS-së hap rrugën e bashkëpunimit ndërmjet ministrisë dhe njësive akademike të UP-së, në të gjitha sferat që renditen në kuadër të fushëveprimit të MKRS-së. Ndërsa qëllimi i memorandumit me Fakultetin e Ndërtimtarisë është zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Marrëveshjet kanë hyrë në fuqi në momentin e nënshkrimit nga palët.