Mbahet trajnimi për përgatitje dhe menaxhim të projekteve

25 Qershor 2021
SHARE

Më 23-24 qershor 2021, Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina", në bashkëpunim të ngushtë me Projektin “HERAS Plus”, mbajti punëtori dyditore në fushën e Përgatitjes dhe Menaxhimit të Projekteve. Ky ishte aktiviteti i parë në kuadër të një programi me tri faza, i cili do të zhvillohet deri në fund të vitit 2021. Programi ka për synim ngritjen e kapaciteteve të UP-së në fushën e hartimit të projektpropozimeve, të cilat do të mund të financohen nga instrumente të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Përveç trajnimeve, në secilën fazë, pjesëmarrësit në këtë program do të përkrahen edhe me sesione mbështetëse mentorimi me synim konkretizimin e projektideve të paraqitura deri në finalizimin e projektpropozimeve. Gjithashtu, programi do të kontribuojë edhe në ngritjen e kapaciteteve në fushën e menaxhimit të suksesshëm të projekteve të fituara.

Punimet i hapi rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, i cili deklaroi se UP-ja dhe HERAS-i kanë arritur të realizojnë një sërë aktivitetesh, të cilat kanë ndihmuar avancimin e cilësisë dhe kërkimit shkencor në UP.
“Jam i lumtur që jam sot në mesin tuaj dhe po e përshëndes nisjen e këtij trajnimi, i cili kam bindjen që do të ndikojë në rritjen e mundësive për absorbim të fondeve të jashtme, si dhe në zbatimin efikas të projekteve të fituara nga ana UP-së,” theksoi rektori Sahiti.

Nga ana tjetër, në emër të Projektit “HERAS Plus”, në hapje të punëtorisë, foli udhëheqësi i projektit, z. Aqim Emurli, i cili e përgëzoi lidershipin e UP-së për angazhimin konkret në avancimin e pozitës së universitetit në fusha që ndërlidhen me projektet dhe partneritetet ndërkombëtare. Më tej, z. Emurli shtjelloi përfitimet që ekipi i përzgjedhur, si dhe UP-ja në përgjithësi, do të përfitojë nga ky program dhe i inkurajoi pjesëmarrësit të shfrytëzojnë maksimalisht ekspertizën dhe resurset e ofruara nga Projekti HERAS+.

Trajnimi “Cikli i Menaxhimit të Projektit (CMP)” është koordinuar nga prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit që UP-ja dhe HERAS-i kanë nënshkruar muaj më parë. Trajnimi dhe aktivitetet e parapara në kuadër të memorandumit synojnë, në rend të parë, ndërkombëtarizimin dhe ngritjen e cilësisë në UP.

Projekti ‘HERAS Plus’ financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe bashkëfinancohet nga MASHTI, ndërsa implementohet nga konsorciumi i organizatave austriake: WUS Austria, ZSI dhe OeAD.