Studentët e UP-së, fitues në kategorinë “Diploma e vitit” në ICT AWARDS

15 Qershor 2021
SHARE

Albanian ICT Awards në Tiranë, ka ndarë çmimet e vendit të parë dhe të dytë në kategorinë “Diploma e vitit” për studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ata ishin fitues të këtij çmimi me temat e tyre të diplomës nga fusha e ICT-së në nivelin baçelor dhe master, tema këto të mentoruara nga profesori Blerim Rexha.

Leand Thaçi dhe Edona Haziraj janë studentët, temat e të cilëve u vlerësuan si më të mirat e kësaj kategorie, ku konkurrojnë studentët nga hapësirat mbarëshqiptare.

Vendi i parë - tema e studentit Leand Thaçi, https://blerimrexha.uni-pr.edu/.../Tema_e_Diplomes_Leand..., me titull: “Zhvillimi i një ‘Chrome Extension’ për detektimin e ‘Phishing Sites’ me ML”, u vlerësua nga juria profesionale si tema më e mirë e vitit 2020, vendi i parë, në hapësirat mbarëshqiptare. “Chrome Extension”, i zhvilluar nga Leandi, shërben si një ndërmjetësues, si mbrojtës nga sulmet “phishing” në mes përdoruesit dhe faqeve në internet. Ky “Chrome Extension” përdor mësimin e makinës (Machine Learning) përmes algoritmeve si: SVM, kNN dhe Random Forest.

Ndërsa, tema e studentes Edona Haziraj, https://blerimrexha.uni-pr.edu/.../Tema_e_diplomes_Edona..., me titull: “Zhvillimi i një aplikacioni në platformën Android për raportimin dhe korrigjimin e gabimeve në tekstet mësimore”, u vlerësua nga juria profesionale si tema e dytë/tretë më e mirë e vitit 2020. Edona aplikacionin e saj e ka emërtuar “Rectify”, i cili do t’iu mundësojë të gjithë përdoruesve raportimin e gabimeve në tekstet mësimore. Aplikacioni nuk kërkon regjistrim, për të ruajtur anonimitetin e përdoruesit, thjesht mjafton përzgjedhja e kategorisë së gabimit. Gabimet ndahen në gjashtë kategori: (i) informatë e pasaktë, (ii) gabim drejtshkrimor, (iii) përmbajtje fyese, (iv) shfaqje e dhunës, (v) përkthim i gabuar dhe (vi) tjetër.

Ndërkaq, për punën e jashtëzakonshme të personelit akademik, përkushtimin dhe promovimin e studentëve si dhe përfaqësimin e shkëlqyer të studentëve, veçanërisht në kërkime shkencore në ICT, iu dha mirënjohje e veçantë nga juria Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP.