Prezantohet programi i ri i studimeve master në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane dhe përurohet salla Deutschraum"

16 Qershor 2021
SHARE

Në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot u bë prezantimi i programit të ri të studimeve master “Gjermanishtja si gjuhë e huaj”.

Në praninë e ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, përfaqësuesve nga Ambasada e Gjermanisë, Ambasada e Austrisë, Ambasada e Zvicrës, Instituti Goethe, studentëve dhe mësimdhënësve të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, u bë edhe përurimi i sallës më të re të këtij departamenti, të quajtur "Deutschraum".

Mirëseardhje në këtë aktivitet të rëndësishëm të pranishmeve u uroi rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. “Inaugurimi i kësaj salle ia shton edhe më tepër vlerën Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në UP, i cili edhe tani vlerësohet si një departament shumë i rëndësishëm, nga ku dalin pjesa dërrmuese e studiuesve të gjuhës dhe letërsisë gjermane në vendin tonë”, theksoi rektori Sahiti. Ai shtoi që programi i ri i studimeve në master është një pasuri tjetër që po i shtohet këtij departamenti, për realizimin e të cilit i falënderoi partnerët dhe stafin e departamentit.  



E privilegjuar për pjesëmarrjen në këtë aktivitet u shpreh ministrja Nagavci. Ajo tha që ndjehet mirë që po prezantohet programi master si gjuhë e huaj. “Departamenti i Gjuhës Gjermane dhe Letërsisë në UP, në përgjithësi, ka qenë bartës i kulturës sonë dhe urë lidhëse me partnerët tanë edhe atëherë kur komunikimi me profesionistë ishte i pamundur,” tha ndër të tjerash ministrja Nagavci.

Përurimin e sallës dhe prezantimin e programit të ri studimor e përshëndetën edhe zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Jan Axel – Voss, udhëheqësja e Institutit Goethe në Shkup, znj. Tanja Krüger, dhe udhëheqësi i njësisë së gjuhëve në IG Shkup, z. Falk Schleicher.

Në anën tjetër, prof. asoc. dr. Milote Sadiku, prodekane për cilësi dhe bashkëpunim ndërkombëtar në Fakultetin e Filologjisë, informoi për detajet e programit njëvjeçar master “Gjermanishtja si gjuhë e huaj”. Prodekanja Sadiku theksoi që ky program është iniciuar si nevojë e tregut të punës për studiues të gjuhës gjermane si gjuhë e dytë.

Qëllimi i këtij programi studimor është aftësimi i studentëve në rrafshin profesional didaktik. Pas përfundimit të këtij programi, studentët përgatitën për karrierë të avancuar akademike dhe profesionale, përmes një planprogrami të specializuar në fushën e metodikës dhe didaktikës, kulturës, gjuhësisë aplikative, si dhe fushave të tjera të ndërlidhura me gjermanishten si gjuhë e huaj.

Në anën tjetër, salla "Deutschraum" është donacion i Institutit Goethe për studentët dhe stafin e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane. Instituti Goethe, përveç mbështetjes së dhënë për realizimin e sallës, me renovim, literaturë dhe pajisje teknologjike, që nga viti 2018, ka ofruar trajnime edhe për stafin e departamentit.