UP-ja nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Universitetin Uludağ në Bursa

09 Qershor 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Universitetin Uludağ në Bursa (BUU), ku është pritur në takim nga rektori i BUU-së, prof. dr. a. Saim Kilavuz.

Gjatë vizitës, rektori Sahiti dhe rektori Kilavuz kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi ku parashihet partneritet i palëve në tri aspekte kryesore: arsimor dhe metodologjik; teknik dhe shkencor, si dhe bashkëpunim kulturor.

Falënderues për ftesën e përcjellë për të vizituar Universitetin Uludağ, universitet publik në Bursa, u shpreh rektori Sahiti. “UP-ja ka një numër të madh të marrëveshjeve të nënshkruara me universitete turke, por bashkëpunimin me Universitetin Uludağ e konsideroj si shumë të veçantë, për faktin që ky qytet, përveç që është gjeografikisht me afër Kosovës, është afër nesh edhe historikisht, falë komunitetit të madh të shqiptarëve që jetojnë në këtë qytet” ka theksuar rektori Sahiti. Ai ka shtuar që marrëveshja e nënshkruar prek fusha të rëndësishme të bashkëpunimit për të dyja universitetet, andaj shprehu vullnetin që sa më parë të filloj implementimi i projekteve konkrete të parapara në këtë dokument.

I nderuar për vizitën e delegacionit nga Kosova u shpreh rektori nikoqir, prof. dr. a. Kilavuz. Ai theksoi që UP-ja dhe BUU-ja mund të iniciojnë projekte shumë të rëndësishme për të dyja palët dhe nënshkrimi i këtij dokumenti është hapi fillestar drejt tyre.

Gjatë vizitës, delegacioni i UP-së ka vizituar Fakultetin e Shkencave, Fakultetin e Mjekësisë dhe Fakultetin e Inxhinierisë në BUU, ku është pritur në takim nga dekanët e fakulteteve përkatëse, si dhe Qendrën për Simulim të Aftësive Mjekësorë të këtij universiteti. Përveç vizitave në BUU, rektori Sahiti është pritur në takim edhe nga z. Fahrettin Gülener, themelues dhe pronar i kompanisë ERTEV, njëri ndër industrialistët më të suksesshëm në Bursa, dhe njëherësh, ambasador nderi i Kosovës.

Vizita e delegacionit të UP-së në Bursa është mundësuar përmes Qendrës Kulturore të Kosovës në Bursa, me koordinator, z. Recep Gündüz.

Universiteti Uludağ është universitet publik në të cilin studiojnë rreth 70 mijë studentë, në mesin e tyre edhe 66 studentë nga Kosova. Në kuadër të memorandumit të nënshkruar, parashihet që UP-ja dhe BUU-ja të nisin së shpejti shkëmbimet semestrale të studentëve dhe të stafit.