Diskutohen mundësi të shumta të bashkëpunimit në mes UP-së dhe Universitetit të Iowa-s

20 Maj 2021
SHARE

Prof. dr. Curtis R. Youngs, profesor në Universitetin Shtetëror të Iowa-s të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte sot mysafir i rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti.

Qëllimi i këtij takimi, i cili u zhvillua në Rektoratin e UP-së, ishte krijimi i mundësive të reja të bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor ndërmjet të dyja universiteteve.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe prorektori për kërkime shkencore, prof, dr. Kurtesh Sherifi, dhe prof. Behlul Behluli, profesor në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Rektori Sahiti e falënderoi profesorin Youngs për vizitën që i ka bërë Universitetit të Prishtinës. Ai shprehu gatishmërinë e menaxhmentit të UP-së për bashkëpunim me universitetin shtetëror të Iowa-s në fusha me rëndësi për studentët dhe stafin e UP-së, veçanërisht në fushën e ushqimit dhe bujqësisë.

Palët në këtë takim diskutuan edhe rreth mundësisë së organizimit të një konference shkencore në UP me përkrahje të Universitetit Shtetëror të Iowa-s.