Diskutohen mundësi për thellim të bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe Ambasadës Hungareze

07 Prill 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka pritur sot në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, z. József Bencze.

Rektori Sahiti e falënderoi ambasadorin Bencze për vizitën e bërë si dhe për bashkëpunimin e gjertanishëm me UP-në. Sahiti tha se është i interesuar të lidhë marrëveshje bashkëpunimi për çështje konkrete, të cilat do të ishin në favor të studentëve dhe të stafit të UP-së, sidomos të sigurojë bursa afatshkurtra të shkëmbimit, në mënyrë studentët dhe stafi të marrin një përvojë jashtë vendit, por të kthehen dhe të kontribuojnë në Kosovë.  
“Jemi shumë të interesuar që ta vazhdojmë punën në implementimin e planit të UP-së për afrimin e kuadrove nga diaspora. Ata shumë shpesh janë edhe pjesë e institucioneve të rëndësishme dhe kjo do të ndihmonte në përmirësimin e cilësisë dhe në ndërkombëtarizimin edhe të Universitetit të Prishtinës,” tha rektori Sahiti.

Në anën tjetër, ambasadori Bencze i uroi suksese rektorit Sahiti në mandatin e tij në krye të UP-së. Ai e njoftoi rektorin edhe për marrëveshjet e lidhura me MASH-in, për bursa përmes skemës Stipendium Hungaricum, nga e cila, në pesë vjetët e fundit, kanë përfituar bursa nga 50 studentë të Kosovës në vit, ndërsa nga ky vit do të jenë 75 bursa për studentët e të tria niveleve të studimit. Ambasadori Bencze i propozoi rektorit Sahiti poashtu edhe bashkëpunim mes konferencave të rektorëve të vendeve përkatëse.

Të dyja palët pjesëmarrëse në këtë takim u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit përmes lidhjes së marrëveshjeve me universitetet më të mëdha në Hungari dhe për mundësitë e bashkëpunimit përmes ERASMUS+ në kuadër të projekteve të përbashkëta për studentë dhe staf.