UP-ja organizon takim, ku diskutohet për mediat dhe shumëgjuhësinë, si mundësi karriere për të rinjtë

24 Mars 2021
SHARE

Qendra për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ishte sot nikoqire virtuale e tryezës së diskutimit me temën “Media dhe shumëgjuhësia, si mundësi karriere në tregun vendor, rajonal dhe ndërkombëtar të punës”.

UP-ja, përmes serisë së tryezave të diskutimit me përfaqësues të tregut të punës, po synon ndërlidhjen dhe fuqizimin e mundësive të punësimit për studentët dhe të diplomuarit tanë, si dhe ndërlidhjen e studimeve me tregun e punës. 

 Të pranishmit në këtë diskutim u përshëndetën nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Ai tha që perspektivat nga përfaqësuesit e tregut të punës janë të domosdoshme për ta ndërlidhur akademinë me tregun. 
“Ndërlidhja e akademisë me tregun e punës është një ndër objektivat më të theksuar në Planin Strategjik të UP-së, ku për sigurim të cilësisë dhe zhvillim të institucionit tonë parashihet edhe përforcimi i marrëdhënieve të universitetit me industrinë, tregun e punës dhe komunitetin në përgjithësi. Mes tjerash, UP-ja është e dedikuar edhe në zbatimin e programeve në pajtim me nevojat e tregut të punës, për të cilat jemi dëshmitarë që po ndryshojnë në mënyrë rapide viteve të fundit,” theksoi rektori Sahiti. 

Ndërkaq, prorektori për zhvillim dhe cilësi, prof. ass. dr. Elton Bahtiri, foli për rëndësinë e këtyre tryezave të diskutimit, si dhe për synimet e qarta të menaxhmentit të UP-së në kuadër të sektorit të zhvillimit dhe sigurimit të cilësisë së institucionit. 

Tryeza vazhdoi me diskutimet e përfaqësuesve të tregut të punës lidhur me mundësitë e bashkëpunimit me UP-në në punësimin e studentëve dhe të diplomuarve. Përfaqësuesit e organizatave të ndryshme u shprehen të lumtur për përfshirjen e tyre në këtë aktivitet diskutimi, si dhe dhanë sugjerime për fuqizim të bashkëpunimit me UP-në, duke theksuar këtu nevojën e punës praktike për studentët, si dhe komunikim më të shpeshtë ndërmjet tyre dhe UP-së. 

Moderatore e diskutimit të edicionit të shtatë të tryezave me tregun e punës ishte prof. ass. dr. Meliza Mehmeti – Krasniqi, bashkëpunëtore shkencore në Institutin Albanologjik në Prishtinë. Mehmeti – Krasniqi solli perspektivën e Institutit në raport me mundësitë për karrierë profesionale nëpërmjet shumëgjuhësisë.

Në këtë tryezë morën pjesë 22 përfaqësues të institucioneve, kompanive dhe organizatave nga sektori privat, publik dhe ndërkombëtar, të cilat ofrojnë për studentët mundësi për avancim në karrierë.