Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri e UP-së certifikon 53 auditorë të energjisë

24 Shkurt 2021
SHARE

Sot, në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, u mbajt ceremoni simbolike e ndarjes së certifikatave për auditorë të energjisë, të trajnuar nga Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Të pranishmit në këtë ceremoni u përshëndetën nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), z. Muharrem Nitaj.

I lumtur për realizimin me sukses të këtij projekti u shpreh rektori Sahiti, i cili e falënderoi MEA-në për bashkëpunimin, duke theksuar që, si rrjedhojë e këtij bashkëpunimi të suksesshëm, UP-ja u licencua për trajnim dhe certifikim të auditorëve të energjisë dhe vlerësuesve të performancës në ndërtesa.
“Mendoj që ky është një moment i rëndësishëm për UP-në që të dëshmojë që përveç si institucion akademik, UP-ja është e gatshme të ofrojë shërbime për kompanitë, individët dhe komunitetin në përgjithësi. Ky është vetëm hapi fillestar, i cili do të shërbejë si shembull për zgjerim të aktiviteteve edhe në fusha të tjera,” theksoi rektori Sahiti.


Në anën tjetër, u.d. i ministrit, Muharrem Nitaj tha se ky projekt, i cili do të kontribuojë në efiçiencën e energjisë, ka qenë i përkrahur nga GIZ-i.
“Në mënyrë simbolike, si pasojë e pandemisë, sot kemi ftuar tre kandidatë, të cilëve do t’ua ndajmë certifikatat. Besoj që këta do ta kenë një rol të jashtëzakonshëm në caktimin e parametrave për adoptimin e normave për efiçiencë të energjisë,” tha Nitaj.

Nga ky trajnim u certifikuan 53 auditorë, prej tyre:

       -       41 auditorë të certifikuar për auditimin e energjisë në ndërtesa dhe

       -       12 auditorë të certifikuar për auditimin e energjisë në ndërtesa dhe ndriçim publik.

Trajnimi njëmujor për auditorë në ndërtesa dhe ndriçim publik, ka përfshirë leksionet, auditimin në terren, përgatitjen e raportit të auditimit të energjisë dhe provimin bazuar në standardin DIN EN 16247.

Trajnimi është financuar nga Qeveria Gjermane, nëpërmjet Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, së bashku me KEEP- Projekti për Efiçiencën e Energjisë në Kosovë, i zbatuar nga MEA - Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, i mbikëqyrur nga konsorciumi Instituti HRVOJE POZAR, Kroaci.