Rektori

Prof. Dr. Naser Sahiti

Curriculum Vitae
Lista e pubikimeve

Tel.:+381 38 244 183
Mail: [email protected]

Të dashur studentë, kolegë dhe partnerë,
Të nderuar qytetarë,

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, jo vetëm që është universiteti më i madh në vend për nga numri i studentëve dhe stafit, por është edhe universiteti me ndikimin më të madh në të gjitha segmentet e organizimit në vendin tonë. Roli dhe rëndësia e madhe e Universitetit të Prishtinës për Republikën e Kosovës dhe më gjerë buron nga sfondi i tij i begatshëm historik, por edhe nga ndikimi i madh praktik që kanë aktivitetet e përditshme të këtij institucioni në jetën e qytetarëve.

I vetëdijshëm për rëndësinë e jashtëzakonshme të veprimtarisë së Universitetit të Prishtinës për studentët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, kam marrë mandatin aktual me përgjegjësi shumë të madhe, vullnet dhe gatishmëri për të dhënë çdo gjë nga vetja, në mënyrë që këtij universiteti, jo vetëm t’i kthehet reputacioni i pakontestueshëm brenda Kosovës, por të kontribuoj në shndërrimin e UP-së në institucion kredibil rajonal dhe ndërkombëtar.

Synimet e mia kryesore gjatë mandatit 4-vjeçar lidhen me krijimin e një kulture moderne të studimit, sigurimin e cilësisë së studimeve, programeve kompatibile me kërkesat e tregut të punës dhe zgjerimin e kërkimeve dhe veprimtarisë artistike në fushat përkatëse të studimit brenda UP-së. Synim tjetër i imi është që Universiteti i Prishtinës të jetë më afër komunitetit nëpërmjet zhvillimit të aktiviteteve, të cilat janë të rëndësishme për qytetarët, si dhe nëpërmjet ofrimit të shërbimeve profesionale dhe akademike, për të cilat ata kanë nevojë. Qëllimi kryesor është shndërrimi i Universitetit të Prishtinës në një universitet të orientuar kah studentët, me larmi programesh dhe nivelesh studimi, programe të bazuara në nevoja të tregut të punës, studime cilësore të mbështetura me hulumtime të aplikueshme dhe ofrimi i ambientit modern të studimit, të pasur me aktivitete kulturore dhe sportive. E gjithë kjo, në mënyrë që studentëve, krahas ngritjes së tyre akademike, t’u ofrohet mundësia e zhvillimit të ndërveprimit efektiv në komunitet, si dhe mundësia e krijimit të lidhjeve të qëndrueshme shoqërore me kolegët e rajoneve të ndryshme.    

Realizimi i synimeve të tilla brenda mandatit 4-vjeçar do të bëjë të mundur transformimin e Universitetit të Prishtinës në një institucion modern, dinamik dhe aktiv në të gjitha segmentet e rëndësishme për studentët dhe qytetarët. Jam plotësisht i vetëdijshëm që rrugëtimi drejt realizimit të synimeve të tilla kërkon përkushtim, vendosmëri, konsistencë menaxhuese dhe bashkëpunim domethënës me të gjithë aktorët relevantë. Në këtë kontekst jam thellësisht i interesuar që bashkëpunimi i ngushtë me studentët, stafin akademik dhe stafin mbështetës, duke zbatuar vazhdimisht parimet e transparencës së plotë dhe komunikimit aktiv me palët e interesuara, të jenë pjesë përcjellëse të të gjitha veprimeve të mia dhe stafit tim në mandatin aktual. Prandaj, studentë të dashur, kolegë, partnerë dhe qytetarë, ju ftoj sinqerisht të hulumtoni mundësitë që ofron Universiteti i Prishtinës, t’i shfrytëzoni ato, por edhe të kontribuoni në ngritjen e gjithanshme të universitetit tonë më të madh, Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’. 

I juaji,
Prof. dr. Naser Sahiti - rektor