Studentët e Fakultetit Juridik fitojnë garën rajonale në Bosnjë e Hercegovinë

21 Mars 2022
SHARE

Ekipi i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në garën Willem C. International Arbitration Moot, ka fituar vendin e parë në kompeticionin rajonal, si paragarë në përgatitje për garën kryesore, që do të mbahet në Vjenë. Për më tepër, studenti Lekë Morina është shpallur folësi më i mirë, në mesin e më shumë se 60 folësve të tjerë.

Paragara e Zenicës, që u mbajt në Sarajevë dhe Zenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës, është njëra nga paragarat më të fuqishme në Evropë, me konkurrencë të skajshme të ekipeve më të fuqishme të rajonit. Suksesi i studentëve në këtë ngjarje është indikator i mirë i punës së tyre të deritanishme, por edhe i suksesit, të cilin pritet ta tregojnë ata në paragarën në Paris, që mbahet në fund të muajit mars, dhe në garën kryesore në Vjenë, në muajin prill.

Ekipi fitues përbëhet nga Art Sylaj, Dior Zhuri, Ernesa Shala, Lekë Morina dhe Morea Salihu, si dhe trajnohet nga prof. ass. Donikë Qerimi dhe Lyra Çela, doktorante në Programin e së Drejtës Ndërkombëtare, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Fakulteti Juridik dhe Universiteti i Prishtinës janë tejet falënderues për mbështetjen e ofruar për pjesëmarrjen në këtë garë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Programi për Zhvillimin e të Drejtës Kontraktore (Contract Law Development Programme).

Pjesëmarrja e ekipit në paragarën në Paris do të financohet nga vetë Fakulteti Juridik, si zotim i përhershëm për mbështetjen e garave ndërkombëtare për studentët e drejtësisë. Për më tepër, studentët pjesëmarrës do të jenë pjesë e Grupit të Studentëve të Ekselencës së Fakultetit Juridik-UP, i cili po fuqizohet, duke arritur suksese ndërkombëtare.

Gara Willem C. International Arbitration Moot është pjesë e programit të përhershëm të Fakultetit Juridik (sikurse edhe 4 gara tjera prestigjioze për studentët e Drejtësisë në botë), me propozimin e dekanit prof. ass. dr. Avni Puka. Ky i fundit, ka përgëzuar studentët për suksesin e arritur dhe ka theksuar mbështetjen e tij dhe të menaxhmentit të Fakultetit për iniciativa të tilla.