UP-ja dhe BERZH-i diskutojnë për zhvillimin e projektit “Private Sector Youth Initiative”
Përfaqësuesit e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë diskutuar rreth zhvillimit të projektit “Private Sector Youth Initiative”, projekt i cili do të fuqizojë punësimin e studentëve dhe të diplomuarve në UP.

Prorektorja për zhvillim dhe cilësi, prof. asoc. dr. Merita Berisha, tha se ky takim është vazhdimësi e takimeve me përfaqësues të tregut të punës për t’u ofruar studentëve punën praktike.

“Ne jemi duke punuar shumë në përpjekje për të lidhur sa më shumë shkollimin me nevojat e tregut. Dekadën e fundit, sidomos me ndihmën e organizatave ndërkombëtare, ne kemi themeluar borde këshilluese në njësitë akademike. Ne përpiqemi të përdorim gjithashtu modele të tjera për të analizuar nevojat e tregut”, tha prorektorja.

Ndërsa, menaxherja e këshillave të BERZH-it, znj. Leonora Kusari, tha se ky projekt do të ndihmojë në procesin e zhvillimit të aftësive të studentëve.

“Ne e shohim UP-në dhe universitetet tjera të Kosovës si partnerë të mundshëm që me të vërtetë mund të luanin një rol në këtë projekt. Ne dëshirojmë të shohim një komunikim më intensiv midis punëdhënësve të sektorit privat, tregut të punës dhe universiteteve në përgjithësi”, tha ajo.

Palët u dakorduan për bashkëpunim të mëtejshëm në krijimin e programeve të punës praktike për studentët e UP-së.